E ardhmja e higjienës personale ka mbërritur. Japonia ka prezantuar zyrtarisht një kapsulë futuristike larjeje, e cila përdor inteligjencë artificiale për të pastruar, tharë dhe relaksuar trupin në vetëm 15 minuta. Quajtur “Mirai Ningen Sentakuki”, që përkthehet “Makina e Larjes së Njeriut të së Ardhmes”, kjo pajisje pritet të debutojë në ekspozitën Expo 2025 në Osaka.
Kapsula elegante dhe kompakte është ndërtuar nga kompania japoneze Science Co., dhe është projektuar për t’i ofruar përdoruesit një përvojë larjeje tërësisht automatike, të shpejtë dhe mbi të gjitha relaksuese. Ajo kombinon ujë të ngrohtë me mikrobula ajri që pastrojnë lëkurën në mënyrë të thellë, pa pasur nevojë për fërkim manual apo produkte shtesë.

Por ajo që e dallon këtë shpikje nga çdo pajisje tjetër e ngjashme është sistemi i integruar i inteligjencës artificiale, i cili monitoron në kohë reale parametra të trupit si rrahjet e zemrës dhe nivelet e stresit. Në varësi të gjendjes emocionale dhe fizike të përdoruesit, sistemi rregullon temperaturën dhe presionin e ujit, duke ofruar rehati maksimale. Për më tepër, kapsula shfaq imazhe vizuale relaksuese gjatë ciklit të larjes, duke e kthyer këtë proces në një përvojë të ngjashme me një trajtim spa.
“Synimi ynë është që larja të mos jetë thjesht një rutinë higjienike, por një moment qetësie mendore dhe rikuperimi trupor”, shprehen krijuesit e pajisjes, të cilët planifikojnë ta përdorin fillimisht në ambiente spitalore dhe qendra kujdesi për të moshuarit, përpara se ta sjellin në përdorim shtëpiak.
Koncepti i një “makine larjeje për njerëz” nuk është i ri në Japoni. Një version i ngjashëm, por shumë më i thjeshtë, ishte prezantuar që në vitin 1970 nga kompania Sanyo në Expo-n e parë të Osakës. Por tashmë, përmes teknologjisë moderne dhe AI-së, ideja po bëhet realitet praktik dhe i sofistikuar.
Pritet që mbi 1,000 vizitorë ta provojnë kapsulën gjatë Expo 2025. Megjithatë, ende nuk është bërë i ditur çmimi apo data kur kjo pajisje do të hidhet në tregun masiv.
Në rrjetet sociale dhe forume teknologjike, reagimet janë të ndryshme. Disa e shohin si një luks të ardhshëm të nevojshëm për jetën e përditshme të ngarkuar, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si simbol të një bote gjithnjë e më të varur nga automatizimi.
©️zërionline


