Me përfundimin e verës dhe pushimeve, shumë njerëz përballen me një gjendje të ngjashme me stresin e kthimit në punë apo shkollë, të njohur si “sindroma post pushime”. Psikologët dhe mjekët e përshkruajnë këtë fenomen si një reagim të organizmit ndaj ndryshimit të menjëhershëm nga atmosfera relaksuese e pushimeve drejt detyrimeve dhe ritmit të shpejtë të jetës së përditshme.

Kjo gjendje manifestohet përmes lodhjes, nervozizmit, vështirësisë për t’u përqendruar, si dhe një ndjenje boshllëku ose mërzie që shoqëron fillimin e një sezoni të ri pune apo shkollimi. Ndryshimi i orareve, mungesa e gjumit të mjaftueshëm, si dhe presioni për të rimarrë detyrimet e përditshme, janë disa nga shkaqet kryesore që e nxisin këtë sindromë.
Specialistët vërejnë se sindroma është më e shpeshtë te:
- Nxënësit dhe studentët që kthehen në bankat e shkollës pas pushimeve të gjata.
- Punonjësit me orare të ngarkuara, sidomos ata që kanë vështirësi të balancojnë jetën profesionale me atë familjare.
- Prindërit që duhet të organizojnë rikthimin e fëmijëve në shkollë, krahas angazhimeve të tyre në punë.
Këshillat e mjekëve dhe psikologëve
Ekspertët sugjerojnë disa hapa të thjeshtë për të kaluar më lehtë këtë periudhë tranzicioni:
- Rikthimi gradual në rutinë, disa ditë para përfundimit të pushimeve, është mirë të normalizohet orari i gjumit dhe i zgjimit.
- Aktiviteti fizik i lehtë, ecja, noti apo ushtrimet e thjeshta ndihmojnë trupin dhe mendjen të lirojnë stresin.
- Planifikimi i kohës, organizimi i ditës me përparësi të qarta shmang ndjesinë e mbingarkesës.

- Momentet e kënaqësisë personale, edhe pse pushimet kanë mbaruar, rekomandohet që gjatë javës të lihen hapësira për aktivitete që sjellin gëzim, si leximi, muzika apo takimet me miqtë.

- Qasja pozitive, kthimi në punë apo shkollë shihet si një mundësi për të nisur projekte të reja dhe jo vetëm si një barrë.
Një gjendje e përkohshme
Mjekët theksojnë se sindroma post pushime është një gjendje kalimtare, që zgjat zakonisht nga disa ditë deri në dy javë. Megjithatë, nëse simptomat zgjasin më shumë, shoqërohen me ankth të theksuar apo shenja depresioni, këshillohet konsultimi me një specialist.

Fundi i verës nuk duhet parë vetëm si një pikë mbylljeje, por si një mundësi për një fillim të ri. Rikthimi i ngadaltë në rutinë, kujdesi ndaj vetes dhe ruajtja e ekuilibrit mes detyrimeve dhe kohës së lirë janë çelësi për ta kaluar këtë periudhë me më shumë energji dhe optimizëm.
©️zërionline


