Në një sport të dominuar prej dekadash nga burrat, ajo po thyen barrierat dhe po vendos emrin e saj në historinë e sportit shqiptar. Esmeralda Novruzaj, 23 vjeçe nga Radhima e Vlorës, është vajza e parë shqiptare që do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror në boks.

Nga 4 deri më 14 shtator 2025, në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, Novruzaj do të zbresë në ring me uniformën kuqezi, e shoqëruar nga trajneri i saj, Sead Bushati. Për të, ky nuk është vetëm një turne ndërkombëtar, por një kapitull i ri për boksin shqiptar.
“Është një ëndërr e madhe për mua, një sfidë e jashtëzakonshme dhe një përgjegjësi e rëndë, sepse e di që jam duke përfaqësuar gjithë vajzat shqiptare që duan të thyejnë kufijtë”, thotë ajo në një mesazh në rrjetet sociale.
Rrugëtimi drejt majës
Pasioni i Esmeraldës për sportin nisi në moshë të hershme, por ishte boksin ai që e tërhoqi më shumë. Mes sakrificash, orëve të gjata stërvitjeje dhe paragjykimeve që shpesh shoqërojnë vajzat në sportet luftarake, ajo nuk u dorëzua.
Vitin e kaluar ajo arriti një prej kulmeve të karrierës së saj, duke fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Europian U23 në Sofje të Bullgarisë, një sukses që e vendosi Shqipërinë në hartën e boksit europian. Po atë vit, Novruzaj u shpall edhe kampione kombëtare, duke konfirmuar se talenti dhe përkushtimi i saj janë të pakontestueshme.
Në ekipin kombëtar olimpik të boksit, Esmeralda është e vetmja vajzë, një fakt që e bën edhe më të veçantë. “Nuk është e lehtë të jesh vetëm mes djemve, por kjo më motivon edhe më shumë. Dua të tregoj se vajzat shqiptare mund të arrijnë gjithçka”, shprehet ajo.
Pjesëmarrja e saj në Kampionatin Botëror është më shumë sesa një ngjarje sportive. Është një thyerje e tabuve dhe një dritë jeshile për vajzat dhe gratë shqiptare që duan të ndjekin rrugën e sportit, pavarësisht barrierave shoqërore apo kulturore.
Në Liverpool, Esmeralda Novruzaj nuk do të ngjitet vetëm në ring për medalje. Ajo do të ngjitet për të përfaqësuar ëndrrat, sakrificat dhe shpresën e një brezi të ri sportistësh, që duan të shkruajnë historinë e tyre.
©️zërionline


