Një vendim i qeverisë për të zhvilluar zonën arkeologjike në qendër të Durrësit ka nisur të marrë jetë përmes një vendimi shpronësimi, që ka nxitur protestën e banorëve, të cilët shohin t’u rrezikohet jo vetëm prona, por edhe jeta e trashëgimia familjare e ndërtuar ndër breza. Në fund të muajit gusht, sipas tyre, Qeveria ka miratuar shpronësimin e 74 familjeve në kuadër të projektit TID, një nismë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim që synon kthimin e qendrës historike të Durrësit në park arkeologjik dhe destinacion turistik. Banorët e lagjeve të qendrës historike të qytetit ndihen të përjashtuar, të padëgjuar dhe tani dhe të kërcënuar me shembje.

“Na doli emri në gazetë, askush nuk na kishte njoftuar më parë”, – tha një nga banorët, i cili jeton në një shtëpi 64 m² pranë bulevardit “Epidamn”. “Na thonë se do të na prishin shtëpitë për të ndërtuar një lulishte. Katër shtëpi do të shemben vetëm që të lihet një ndërtesë e vjetër 2-katëshe.”
Të shqetësuar dhe të indinjuar, banorët kërkojnë të mos u preken banesat e tyre dhe nëse kjo është e pamundur, të shpronësohen me vlerën reale të tregut. Shumë prej tyre thonë se u ofrohen vlera qesharake, që nuk i afrohen as kostos minimale të një apartamenti të ri në qytet.
“Unë kam një biznes 33 m². Vlerësimi që më kanë bërë është 15 milionë lekë të vjetra. Me këto para s’blej dot as një garazh, jo më një dyqan”, u shpreh një tjetër banor i prekur.Për shumë prej tyre, prishja e shtëpisë nuk është thjesht një çështje fizike, por rrënon breza të tërë. “Ka punuar im atë, nëna ime, unë dhe gruaja ime, tani punojnë fëmijët e mi. Të gjithë jetën e kemi ngritur aty. Na i fshijnë me një firmë”, tha një tjetër qytetar me sy të përlotur.

Ndërkohë që godinat e tyre janë në prag shembjeje, vetëm pak metra më tej, një pallat i ri shumëkatësh ka nisur të ndërtohet. “2500 euro për metër katror, shitet pa hapur akoma themelet”, – thotë një tjetër banor që e sheh me dyshim drejtësinë e projektit. “Ne jemi ngjitur, po neve na prishin për të bërë lulishte.” Disa prej banorëve paralajmërojnë se do të ndërmarrin veprime ekstreme nëse fadromat afrohen për të shembur shtëpitë e tyre.“Ku të shkoj me nënën time 90-vjeçare? Të lidhem me zinxhirë me të, përpara ekskavatorit, apo të pimë helm? Ata duan të bëjnë një lulishte, duke shkatërruar jetët tona.”
Për këtë projekt, qeveria ka miratuar një fond prej 315.5 milionë lekësh nga buxheti i shtetit për shpronësimin e banorëve. Por vlera, sipas tyre, nuk reflekton realitetin e tregut dhe as historinë e gjatë që mbartin shtëpitë e tyre.
Ndërsa Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim synon të ruajë trashëgiminë kulturore dhe të nxisë zhvillimin e turizmit në Durrës përmes këtij projekti, banorët e zonës historike ndihen të përjashtuar nga procesi dhe të detyruar të sakrifikojnë gjithçka në emër të modernizimit.
©️zërionline


