Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në lagjen nr. 12 të qytetit, ku u gjet i vrarë 51-vjeçari Valbon Beqiri, i njohur dhe me emrin Marko. I dorëzuar në polici, pas negociatave me të vëllain, 24-vjeccari i dyshuar si autor i vrasjes ka deklaruar se njihej me viktimën dhe i kishte shkuar në banesë. Sipas tij, për të pirë ndonjë shishe birrë, pasi viktima e ka ftuar, ndërsa policia deklaroi se nga hetimet rezulton që Teilor Tivari ka shkuar me qëllim blerjen e lëndës narkotike. Gjatë komunikimit dhe qëndrimit në banesë, Tivari është konfliktuar me Beqirin.
Sipas Tivarit, 51-vjeçari tentoi t’a përdhunonte.
“U përleshëm me njëri-tjetrin sepse nuk më lejonte të largohesha. Tentova të mbrohesha, por ai ishte më i fuqishëm se unë, i shpëtova, mora thikën e bukës dhe e qëllova. Nuk e mendova se do të vdiste.”, ka deklaruar Tivari para grupit hetimor
Nga hetimet, mësohet se ngjarja ka ndodhur në apartamentin që viktima e kishte në ruajtje. Beqiri, i cili punonte si kamarier në një lokal dhe recepsionist në një hotel jo larg vendit të ngjarjes, ishte i martuar dhe baba i një djali të mitur. Nga hetimet rezulton që e përdorte banesën që i kishin lënë në ruajtje ndonjëherë për të ftuar miq dhe shokë, ku konsumoheshin edhe lëndë narkotike. Por asnjëherë, sipas fqinjëve, nuk ka shkaktuar probleme, zhurma në pallat. Përkundrazi të gjithë në zonë e njohin si njeri të qetë e të respektueshëm. Viktima banonte në një lagje tjetër të qytetit bregdetar.
Mbrëmjen e kaluar, dyshohet se situata ka dalë jashtë kontrollit dhe të dy dyshohet se kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Ata janë përleshur dhe më pas e ka goditur viktimën me thikë, duke i shkaktuar vdekjen. Policia ka shumë pikëpyetje në lidhje me raportin që ekzistonte mes palëve
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se viktima kishte shenja dhune në trup si dhe plagë të shkaktuara me mjet prerës, që i kanë shkaktuar vdekjen.
Vrasja u mësua mbrëmjen e 24 shtatorit, kur në katin e katërt të një pallati, afër tregut të fruta perimeve, në lagjen nr. 12, u gjet pa shenja jete dhe i mbytur në gjak 51-vjeçari. Ai kishte shenja dhune dhe plagë të shumta të shkaktuara nga goditjet me thikë.
Hetimet zbuluan se krimi ishte kryer paraditen e së mërkurës, rreth orës 10:00. Sipas policisë, 24-vjeçari kishte hyrë në banesë për të blerë lëndë narkotike, por pas një konflikti për motive të dobëta, ai e ka goditur disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit, autori u ndihmua nga një 27-vjeçar, Xh. D., i cili e dërgoi me një taksi fillimisht në banesën e tij. Të dy u kapën nga policia dhe përballen me akuza të rënda. Viktima, banues në lagjen nr. 16 të Durrësit, ishte i martuar dhe baba i një djali të mitur. Prokuroria ka marrë në dorë materialet procedurale për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Prodhim e shitje pa leje e armëve të ftohta” për Tivarin, ndërsa ndaj bashkëpunëtorit të tij janë ngritur paraprakisht akuzat për “Moskallëzimin e krimit” dhe “Përkrahje e autorit të veprës penale”.
©️zërionline


