Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ka pranuar zyrtarisht dorëheqjet e pesë administratorëve të njësive administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Ishëm dhe Rrashbull, duke nisur një proces të ri emërimesh në këto njësi.
Dorëheqjet ishin paraqitur që në muajin korrik, pas një kërkese të bërë nga Kryeministri Edi Rama, por deri më tani administratorët kishin vijuar detyrën me urdhër të përkohshëm nga kryebashkiakja Sako. Pas më shumë se dy muajsh pasivitet, Bashkia ka zyrtarizuar lirimin nga detyra të ish-administratorëve Kadri Gjyli në Ishëm, Edlir Cerri në Sukth, Eltion Preni në Katund të Ri, Albert Bukaçi në Rrashbull dhe Muharrem Sula në Manëz.
Burime pranë Bashkisë bëjnë me dije se janë caktuar katër nga pesë administratorët e rinj. Emirian Bafti do të marrë drejtimin e njësisë administrative Ishëm, Redi Shehu është emëruar në Manëz, Fiqiri Dema në Rrashbull, ndërsa Julian Marku do të drejtojë Katundin e Ri. Emërimi për njësinë Sukth ende nuk është finalizuar.
Lëvizjet e fundit vijnë si pjesë e një riorganizimi administrativ që pritet të sjellë dinamika të reja në qeverisjen vendore.
©️zërionline


