Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së enjtes fshatin Shënavlash të Durrësit. Rreth orës 14:00, një zjarr i fuqishëm përfshiu banesën e familjes Mana, duke marrë jetën e 42-vjeçares Kimete Mana. Sipas të dhënave paraprake, ajo dyshohet se humbi jetën si pasojë e asfiksisë.


Në momentin e ngjarjes në shtëpi ndodhej edhe nëna e saj, Shefiko, e cila falë ndërhyrjes së fqinjëve arriti të shpëtonte.
“Pamë tym e flakë që dilnin nga brenda. Hymë me zor dhe arritëm ta nxirrnim nënë Shefikon. Ishte çast i vështirë, po të mos futeshim, ajo do të digjej. Për fat të keq, Kimetja nuk mundi të shpëtonte”, tregojnë fqinjët.
Zjarrfikësit ndërhynë më pas duke bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes. Burime të para dyshojnë për një shkëndijë elektrike, por nuk përjashtohet mundësia që zjarri të jetë shkaktuar aksidentalisht nga vetë viktima, e cila pinte cigare dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.
E tronditur dhe pa një strehë, nënë Shefiko rrëfen mes lotësh tragjedinë: “U dogj gjithçka… Vajza më iku, shtëpia iku… Unë shpëtova, por sot nuk kam ku të shkoj. Më ka mbetur vetëm hidhërimi. E ndjeva tymin dhe i thirra po s’më dëgjoi. Ç’do të bëhet me mua tani? Më ndihmoni. Askush nuk kujdeset për mua.”
Familja Mana jetonte prej kohësh në kushte të vështira ekonomike. Në të njëjtën banesë strehohej edhe vajza tjetër e nënë Shefikos me dy fëmijët e saj. Tani, pas humbjes së Kimetes dhe shkatërrimit të pajisjeve të shtëpisë nga zjarri, familja ka mbetur pastrehë dhe në nevojë urgjente për ndihmë.
Ky rast dramatik ngre shqetësimin për ndërhyrjen e menjëhershme të bashkisë dhe shërbimeve sociale, për t’i ardhur në ndihmë nënë Shefikos, e cila sot ka humbur jo vetëm një të dashur, fëmijën e vet, por edhe strehën ku jetonte.
©️zërionline


