Pas mbledhjes së gjyqtarëve të Durrësit në ish-godinën e Apelit u vendos që për shkak të homazheve të anulohen proceset gjyqësore me 7 dhe 8 tetor, me përjashtim të seancave të ngutshme, masat e sigurisë dhe UMM.
Zv.kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Besjana Garxenaj mblodhi trupën gjyqësore për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë në ambientet e punës dhe masat parandaluese.
Ditën e sotme, masa të shtuara sigurie janë marrë në hyrje të Gjykatës, ku nuk ka pasur përjashtime përsa i përket kalimit në detector.
Para këtij vendimi, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës pati reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë, vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Në një deklaratë publike, gjykata shprehu dhimbje dhe tronditje për humbjen tragjike të gjyqtarit, duke përcjellë ngushëllime të ndjera për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
“Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen për humbjen e një profesionisti gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në deklaratë.
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Durrësit e cilësoi këtë akt si një goditje ndaj vetë drejtësisë, rendit shoqëror dhe besimit të qytetarëve tek institucionet shtetërore. “Mbrojtja e gjyqtarit është mbrojtje e drejtësisë. Mbrojtja e drejtësisë është mbrojtje e shoqërisë.
Pas takimit me gjyqtarët e Durrësit, zv.kryetarja e Gjykatës Besjana Garxenaj pritet të zhvillojë në vijim edhe konsultime ndërinstitucionale me përfaqësues të Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë, me qëllim hartimin e një rregulloreje të përbashkët për sigurinë në institucione.
Vrasja ka shkaktuar tronditje në sistemin e drejtësisë, ndërsa kërkohen masa konkrete për mbrojtjen e gjyqtarëve në ushtrimin e detyrës dhe jo vetëm atyre, por edhe prokurorëve dhe avokatëve që ndjehen të ekspozuar.
©️zërionline


