“Seven Seas Grandeur”, Krociera luksoze që mbyll sezonin turistik në Portin e Durrësit

Date:

Share post:

Porti i Durrësit po mirëpret për herë të parë këtë të premte anijen luksoze “Seven Seas Grandeur”, një nga kroçierat më elegante dhe moderne në botë. Mbërritja e saj u cilësua nga autoritetet detare si një ngjarje e veçantë për turizmin detar në vend, ndërsa shënon edhe mbylljen e sezonit të kroçierave për vitin 2025.

E gjatë 223 metra dhe me një kapacitet prej mbi 700 pasagjerësh, “Seven Seas Grandeur” është përshkruar nga operatorët ndërkombëtarë si një “hotel lundrues me pesë yje”. Anija solli në Durrës 728 turistë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga vende të tjera të botës si Kanada, Angli etj, të asistuar nga një ekuipazh prej 542 personash.

“Seven Seas Grandeur” është anija më e re dhe më luksoze e kompanisë “Regent Seven Seas Cruises”, pjesë e “Norwegian Cruise Line Holdings”, e njohur për udhëtimet ultra-luksoze dhe gjithëpërfshirëse. E ndërtuar në kantierin italian Fincantieri dhe e lëshuar në dhjetor të vitit 2023, kjo anije mishëron “trashëgiminë e përsosmërisë”, me dizajn elegant, suita të bollshme dhe shërbim të personalizuar për çdo pasagjer.

Me një kosto ndërtimi prej rreth 521 milionë dollarësh, “Seven Seas Grandeur” është anija e gjashtë në flotën e “Regent” dhe e treta në klasën “Explorer”. Ajo ka një tonazh prej 55 mijë tonësh bruto, 10 kuverta për pasagjerë dhe mund të akomodojë deri në 746 turistë në 375 suita, të gjitha me ballkone private, ndër më të mëdhatë në det.

Ndër veçoritë që e dallojnë këtë anije janë banjot me mermer italian, produktet e markës Bvlgari, arredimi i realizuar nga “Studio Dado” dhe kujdesi i lartë i stafit, me raportin 1 anëtar ekuipazhi për çdo 1.5 pasagjerë. Kategoritë më të larta të suitave ofrojnë edhe shërbim personal butler dhe përparësi në hipje.

Përveç luksit të akomodimit, “Seven Seas Grandeur” njihet edhe për eksperiencat e saj gastronomike me nëntë ambiente ushqimore. Ndër to veçohen restoranti klasik “Prime 7”, “Compass Rose” me menunë e personalizuar, “Sette Mari at La Veranda” me kuzhinë italiane dhe “Chartreuse”, që ofron specialitete franceze.

Në bord, turistët mund të shijojnë shfaqje në teatrin “Constellation”, argëtim me muzikë live, kazino, si dhe një qendër spa e menaxhuar nga Canyon Ranch, e cila ofron trajtime relaksuese dhe klasa fitnesi me produkte organike.

Aktualisht, “Seven Seas Grandeur” po lundron në itinerare globale që përfshijnë Mesdheun, Karaibet, Azinë dhe Alaskën. Pas ndalesës në Durrës, ajo do të vazhdojë drejt porteve të tjera të rajonit, përpara se të kthehet në Karaibe në fund të vitit.

Krociera është vlerësuar nga pasagjerët me 4.5 nga 5 yje në platformat ndërkombëtare si Cruise Critic dhe Tripadvisor, për nivelin e lartë të shërbimit dhe qetësinë që ofron gjatë udhëtimit.

Mbërritja e “Seven Seas Grandeur” në Durrës vjen si një dëshmi e rritjes së interesit të kompanive ndërkombëtare për Shqipërinë si destinacion turistik detar, ndërsa pritet që ky segment i turizmit të ketë zhvillim të mëtejshëm në vitet e ardhshme.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...