Pak më shumë se “Tango e Satanait”
Fituesi i Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2025, László Krasznahorkai, vlerësohet si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj epikë të Evropës Qendrore, trashëgimtar i traditës letrare, që shtrihet nga Kafka deri te Thomas Bernhard, e njohur për absurdin dhe groteskun e theksuar.
Por krijimtaria e autorit hungarez shkon përtej kufijve të këtij stili. Në veprat e tij të mëvonshme, Krasznahorkai kthehet drejt Lindjes, duke përqafuar një ton më meditues e të rafinuar, frymëzuar nga udhëtimet e tij në Kinë dhe Japoni. Kjo periudhë solli disa nga veprat e tij më poetike, si romani “A Mountain to the North, a Lake to the South, Paths to the West, a River to the East” (botuar në vitin 2022, shkruar në 2003), një rrëfim misterioz që zhvillohet në juglindje të Kiotos dhe flet për kërkimin e një “kopshti të fshehtë”, simbol i bukurisë dhe përjetësisë shpirtërore.
Vepra e konsideruar më përfaqësuese e kësaj faze është “Seiobo there below” (2008), një cikël prej shtatëmbëdhjetë tregimesh të organizuara sipas një rendi matematikor (numrat Fibonacci), që trajtojnë rolin e artit dhe bukurisë në një botë të verbër e kalimtare. Vepra hapet me një skenë të paharrueshme, një lejlek i bardhë që qëndron i palëvizur në lumin Kamo të Kiotos, i padukshëm për kalimtarët, metaforë e artistit që krijon në vetmi dhe heshtje.
Në këtë libër, motivi qendror është miti japonez i Seiobo, perëndeshës që ruan kopshtin e frutit të pavdekësisë, që lulëzon një herë në tre mijë vjet. Për Krasznahorkain, ky mit shndërrohet në një alegori për aktin krijues, lindjen e një vepre arti pas një procesi të gjatë përgatitjeje, mjeshtërie dhe përkushtimi. Personazhet që përfshihen në këto histori janë shpesh figura anësore, roje, mjeshtra, punëtorë, që nuk e kuptojnë plotësisht madhështinë e krijimit në të cilin marrin pjesë.
Kjo temë e bukurisë dhe e përpjekjes njerëzore për ta kapur atë, vazhdon edhe në romanin më të fundit të tij, “Herscht 07769”, të cilin kritika e ka cilësuar si “romanin e madh bashkëkohor gjerman” për realizmin e tij në përshkrimin e trazirave sociale.
Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël të Thüringen-it, në Gjermani, ku shoqëria është përfshirë në anarki, dhunë dhe zjarrvënie, në një atmosferë që ndërthuret me trashëgiminë muzikore të Johann Sebastian Bach. Libri, i shkruar “me një frymë të vetme”, bashkon në mënyrë paradoksale dhunën dhe bukurinë, dy pole që autori i shkrin mjeshtërisht në një univers të përbashkët.
Personazhi kryesor, Herscht, është arketipi i “të marrëve të shenjtë” në stilin e Dostojevskit, një shpirt i pastër që, pasi kupton se ka besuar verbërisht tek forcat që shkatërrojnë qytetin e tij, përballet me një realitet të pamëshirshëm.
Me këtë vepër, László Krasznahorkai vërteton edhe njëherë se mbetet një prej zërave më origjinalë të letërsisë moderne, që shkrin filozofinë, poezinë dhe absurditetin në një reflektim të thellë mbi krijimin, artin dhe qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor përballë kaosit të botës.
©️zërionline


