Një tjetër goditje për qytetarët e Durrësit përsa i përket situatës së rënduar të parkimeve. Parkimi publik pranë stadiumit “Niko Dovana”, një prej hapësirave të pakta ku banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve gjenin strehë për automjetet e tyre dhe për të qëndruar pensionistët e luajtur fëmijët gjatë pasditeve, prej disa javësh është mbyllur me tra. Aty ku deri dje parkonin dhjetra automjete, sot mund të kalojnë vetëm ata që paguajnë.
Ky veprim ka përkeqësuar më tej situatën e parkimeve në një nga zonat më të ngarkuara të Durrësit, ku kryqëzohen disa rrugë kryesore dhe lagje të dendura banimi.
Kjo ndodh, jo si përjashtim në fakt, në një nga zonat më të populluara të Durrësit, pranë policisë, spitalit dhe disa shkollave të qytetit, ku vendosja e traut në parkimin publik të stadiumit “Niko Dovana” ka sjellë pakënaqësi të madhe dhe ka thelluar krizën e parkimeve në qytet, duke nxjerrë në pah mungesën e transparencës dhe të përgjegjësisë institucionale.
Banorët flasin për kaos të përditshëm, grindje mes shoferëve dhe rritje të gjobave për parkim të gabuar. “E kishim të vetmen hapësirë publike të lirë në këtë zonë. Tani edhe ajo është privatizuar”, thonë me zemërim banorët.
Por kur pyet për përgjegjësinë, institucionet luajnë “ping-pong”. Në bashkinë e Durrësit thonë se nuk është ajo që ka vendosur traun dhe se hapësira ndodhet në administrimin e klubit sportiv “Teuta”. Nga ana tjetër, përfaqësues të klubit pohojnë se vendimi është marrë nga presidenti i ri i ekipit të futbollit, Fatos Troplini, i cili duket se ka nisur “menaxhimin” e Teutës duke marrë në dorë edhe hapësirat publike që dikur i përkisnin qytetarëve.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta jo vetëm për mungesën e transparencës, por edhe për mënyrën arrogante me të cilën një pasuri publike, pjesë e jetës urbane të Durrësit, është kthyer në pronë të mbyllur, në kurriz të qytetarëve.
Në një qytet ku parkimi është kthyer tashmë në mision të pamundur, mbyllja e parkimit publik të “Niko Dovanës” është një tjetër goditje e rëndë për jetën e përditshme të banorëve. Heshtja e Bashkisë përballë këtij abuzimi shton dyshimet se interesat e qytetarëve po lihen pas dore në favor të marrëveshjeve të paqarta dhe të pashpjeguara publikisht.
Ndërsa trau qëndron i ulur çdo ditë, duke simbolizuar mbylljen e një hapësire publike, qytetarët e Durrësit ndihen sërish të përjashtuar nga e drejta për të përdorur hapësirat që dikur ishin për ta. Dhe pyetja që ngrihet sot është e thjeshtë, në një qytet që vuan nga mungesa e parkimeve dhe menaxhimit urban, kush mban përgjegjësi kur hapësira publike shndërrohet në pronë private?
Ky është një nga ato rastet kur pushteti vret dhe nis të prodhojë vrasës të heshtur.
©️zërionline


