Në Durrës vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit. Pas tre javësh hetime me metoda proaktive, Policia ka finalizuar operacionin e koduar “STORM 8”, duke zbuluar një tjetër rast të shfrytëzimit për prostitucion në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar.


Në një apartament në rrugën “Venecia”, në zonën e Plazhit, u arrestuan në flagrancë dy shtetase kineze, M. Y., 41 vjeçe, dhe L. H., 48 vjeçe, të dyja të akuzuara për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”. Një tjetër shtetase kineze, J. L., 53 vjeçe, është shpallur në kërkim për të njëjtën vepër.
Gjatë kontrollit në apartament, policia sekuestroi para në euro e lekë, pesë aparate celularë, nëntë karta banke të bankave kineze, dy pasaporta, si dhe një bllok shënimesh që dyshohet se përmbante të dhëna për aktivitetin e paligjshëm.
Tre burra nga Librazhdi, Durrësi dhe Burreli, të pranishëm në apartament në momentin e ndërhyrjes, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën “Prostitucion”. Hetimet treguan se shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy apartamente, një për qëndrim në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe tjetrin për ushtrimin e aktivitetit në Iliri, Plazh.
Rezulton se dy nga të arrestuarat janë ndaluar edhe më parë nga Policia e Durrësit për të njëjtën veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për hetime të mëtejshme.
©️zërionline


