Nga Vali Qyrfyçi
Në një kohë kur shumë të rinj që diplomohen në universitetet shqiptare përballen me pasiguri për punësim, ose përfundojnë duke punuar në profile që nuk kanë lidhje me studimet e tyre, një tjetër rrugë arsimore po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në Durrës, arsimi profesional. I vlerësuar për shumë vite si një zgjidhje dytësore, arsimi profesional po kthehet çdo ditë e më shumë në një alternativë të zgjuar për qindra të rinj që kërkojnë një profesion të sigurt dhe të mirëpaguar.
Gesi, një i ri nga Lushnja që punon në një hotel në Golem, tregon: “Kam mbaruar shkencat politike, por prej të paktën tre vitesh punoj në sektorin e turizmit. Herë si kamarier, herë si banakier dhe së fundmi si shef salle në restorant. Sektori i shërbimeve ka shumë nevojë për punonjës dhe pagat janë në përmirësim.”
Rritja e interesit për arsimim profesional nuk është e rastësishme, por vjen si rezultat i orientimit konkret drejt tregut të punës, lidhjeve me biznesin dhe përgatitjes praktike që u ofrohet nxënësve.
“Shumë të rinj diplomohen në universitete, por nuk arrijnë të punësohen në profesionin e tyre, sepse programet universitare shpesh nuk përputhen me nevojat reale të tregut të punës. Bizneset po i drejtojnë gjithnjë e më shumë vëmendjen arsimit profesional, i cili u ofron të rinj më praktikë dhe të përgatitur për punë konkrete. Ne do të dëshironim që më shumë biznese të bashkëpunojnë me shkollat profesionale dhe universitetet për të ofruar atë që kërkon tregu”, thotë për BIRN, Neritan Golja, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës.
Nga klasa në punë, 75% punësohen menjëherë pas shkollës
Sipas të dhënave nga shkollat profesionale në Durrës, mbi 75% e nxënësve që përfundojnë arsimin profesional punësohen menjëherë pas diplomimit, shumë prej tyre edhe gjatë viteve të fundit të shkollës. Ndërkaq, rreth 20% vijojnë më tej studimet në programe të larta profesionale ose universitare, duke e kthyer këtë rrugë në një bazë të fortë për zhvillim afatgjatë.
Adeos, 19 vjeç nga Durrësi, ka përfunduar degën e mekanikës së automjeteve, elektroauto, në shkollën “Beqir Çela” dhe këtë tetor nisi dhe studimet 2-vjeçare në universitetin “Aleksandër Moisiu”:
“Gjatë shkollës punoja si praktikant dhe paguhesha. U punësova që në vitin e tretë. Punoja pasditeve. Edhe tani jam i punësuar dhe studioj në profilin tim. Tregu ka nevojë për profesionistë dhe këtë e ndjej çdo ditë.”

I ati i Adeos, Renato, tregon: “E nxitëm të regjistrohej në shkollë profesionale sepse që i vogël kishte interes për makinat dhe sistemet elektrike. Menduam se do ta ndihmonte të mësonte një zanat dhe të kishte një të ardhme të qëndrueshme. Sot është i punësuar dhe punën e bën me pasion dhe përgjegjësi.”
Prindërit janë gjithnjë e më të ndërgjegjësuar për vlerën që ka arsimi profesional.
Edhe Albana, nënë e një të diplomuari në degën e hoteleri-turizmit, thotë:“Nuk e nxitëm djalin të ndjekë gjimnazin dhe më pas universitetin vetëm për të pasur diplomë. Ai u bind dhe zgjodhi profesionin dhe sot punon, vazhdon shkollën dhe është i pavarur financiarisht. Si prind, nuk ka kënaqësi më të madhe. Në vitin e 3-të të shkollës së mesme nga puna ai siguronte një pagë më të madhe se ne prindërit e tij.”
Edhe për Sarën, zgjedhja e arsimit profesional ishte e mirëmenduar: “Zgjodha degën e hoteleri-turizmit sepse jam e bindur që do të gjej punë kudo, në restorante, hotele apo kuzhina. Kam pasion shërbimin dhe më pëlqen që mund të punoj edhe jashtë vendit. Por edhe këtu në Durrës dhe në jug, turizmi po zhvillohet shumë dhe pagat janë të mira.”
Degët më të kërkuara dhe infrastruktura në përmirësim
Regjistrimet në shkollat profesionale në Durrës janë rritur ndjeshëm këtë vit. Afro 600 nxënës janë regjistruar për herë të parë në shkollat “Beqir Çela” dhe “Hysen Çela”.

“Kemi 1,200 nxënës në total. Vetëm në klasat e dhjeta janë regjistruar 315 nxënës, duke përmbushur objektivat tona. Më i kërkuari është drejtimi Shërbim i mjeteve të transportit, i cili përbën rreth 40% të regjistrimeve në klasën e dhjetë dhe 40% të numrit total të nxënësve të shkollës. Interes të shtuar vitet e fundit ka për drejtimin Teknologji Informacioni dhe Komunikimi ku këtë vit janë regjistruar 3 vajza ”, – thotë Fatmir Merkuri, drejtor i shkollës “Beqir Çela” e cila njihet si “shkollë djemsh”.
Shkolla “Beqir Çela” është shndërruar në një kampus të vërtetë profesional me laboratorë modernë, një godinë të re praktike dhe një godinë të re konvikti për nxënësit nga rrethet. Risitë përfshijnë hapjen e dy degëve pas të mesmes, konkretisht “Diagnostikim dhe Menaxhim në Autoservis” dhe “Energjia e Rinovueshme”, ky i fundit, programi i parë i këtij lloji në nivel kombëtar. Këto programe jo vetëm që ofrojnë kualifikime më të avancuara, por e pozicionojnë shkollën si një institucion pionier në futjen e teknologjive të qëndrueshme dhe të gjelbra në arsimin profesional shqiptar.
Në shkollën profesionale “Hysen Çela” në Durrës, degë si hoteleri-turizëm, teknologji ushqimore, ekonomi, konfeksione dhe teknologji informacioni janë ndër më të preferuarat. Kjo përkon edhe me zhvillimet ekonomike të zonës, ku turizmi është një nga motorët kryesorë.
“Këtë vit shkollor u regjistruan në klasat e 10-a 280 nxënës, ose 20% më shumë se vjet, ndërsa shkolla numëron 850 nxënës në total. Vitet e fundit dega më e kërkuar mbetet ajo e hoteleri-turizmit me një interes gjithnjë në rritje”, – thotë Blerina Dervishi, drejtore e shkollës së mesme “Hysen Çela”.
Të dy drejtuesit e shkollave të mesme profesionale të Durrësit shprehen se bashkëpunojnë ngushtë, përveç biznesit, dhe me Zyrën e Punës ku nxënësit aplikojnë për të gjetur një vend pune, por dhe për të përfituar nga kurset afatshkurtra që ofrohen nga Qendra e formimit profesional, duke investuar më tej në formimin e tyre profesional.
Ndërkohë, degë si ajo e peshkimit kanë më pak interes, edhe pse tregu ka nevojë të madhe për punonjës në këtë sektor.
“Jeta në det nuk vlerësohet shumë nga të rinjtë. Preferojnë punët në tokë që i mbajnë më afër familjes”, – thotë Arben Kume, me mbi 42 vite përvojë në peshkim.
Biznesi dhe shkolla, partnerë të ngushtë
Një element kyç i suksesit është bashkëpunimi i ngushtë me bizneset lokale dhe institucionet e punësimit. Dy shkollat bashkëpunojnë me Zyrën e Punës, Dhomën e Tregtisë dhe mbi 700 biznese, duke garantuar praktika dhe mundësi reale punësimi. Janë hapur dhe degë të arsimit dual, ku klasa zhvendoset te biznesi.
“Kemi marrëveshje me 400 biznese për praktika dhe punësim”, -tregon Blerina Dervishi, drejtoreshë e “Hysen Çelës”.
“Shkolla bashkëpunon ngushtë me biznesin edhe për të përshtatur kurrikulën sipas nevojave të tregut.”, thekson edhe Fatmir Mërkuri. Shkolla që ai drejton ka marrëveshje me 380 biznese.
Dhoma e Tregtisë e mbështet fuqishëm këtë qasje: “Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është një nga sfidat më të mëdha të bizneseve sot. Bashkëpunimi me arsimin profesional është mënyra më e mirë për të ndërtuar një treg pune të qëndrueshëm.”
Sfida, Mbyllja e shkollës profesionale në Kavajë
Pavarësisht suksesit, sfidat nuk mungojnë. Një prej tyre është mbyllja e shkollës së mesme profesionale “26 Marsi” në Kavajë, e cila u tkurr gradualisht për shkak të mungesës së regjistrimeve. Për dy vite, ajo funksionoi si degë e “Beqir Çelës”, derisa u mbyll tërësisht këtë vit. Nxënësit e mbetur janë transferuar në Durrës, ku përfitojnë edhe rimbursim të transportit sipas VKM-së nr. 239, datë 24.04.2025.
Shkolla u hap në vitin 1991, po nuk i mbijetoi sfidave të kohës. Shkolla ofronte drejtime thuajse të njëjta me shkollën e mesme Beqir Çela: Shërbime Mjetesh Transporti; Mekanikë; Elektroteknikë; Termohidraulikë dheTeknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK).
Ky rast tregon se arsimi profesional ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme, promovim dhe investim të kujdesshëm për të shmangur humbjen e kapaciteteve vendore.
Arsimi profesional, jo vetëm një diplomë
Me bazë të fortë teorike, praktikë intensive, lidhje me biznesin dhe mundësi reale punësimi, arsimi profesional në Durrës po rikthehet fort si një zgjedhje me vizion. Në një treg pune gjithnjë e më konkurrues dhe përballë sfidave që sjell inteligjenca artificiale, ky arsim po kthehet në një nga vlerat më të mëdha që një sistem arsimor mund t’u ofrojë të rinjve, një profesion në dorë dhe aftësi konkrete për të nesërmen.
©️zërionline


