Shpella e Kopiles, e njohur edhe si “Liqeni i Neuronit” në zonën e Leskovikut, ka hyrë tashmë në historinë e speleologjisë shqiptare si shpella e parë në vend e pajisur me ankorime të posaçme, të dedikuara për skuadrat e kërkim-shpëtimit.
Ky investim i rëndësishëm është realizuar nga Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë, si edhe kontributi i vullnetarëve që me përkushtim dhe profesionalizëm po punojnë për të forcuar sigurinë dhe efikasitetin në çdo ndërhyrje.
Sipas Shpëtimit, vendosja e ankorimeve në shpellën e Kopiles është një hap i madh përpara në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për operacione të shpejta dhe të sigurta në terrene të vështira. Projekte të tilla ndihmojnë në kursimin e kohës gjatë ndërhyrjeve emergjente, duke siguruar manovra më të thjeshta dhe më të besueshme për ekipet e shpëtimit.
Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë ka theksuar se do të vazhdojë këtë proces edhe në destinacione të tjera të frekuentuara nga alpinistët dhe vizitorët, ku rreziku dhe nevoja për ndërhyrje emergjente janë më të pranishme.
“Falë bashkëpunimit dhe vullnetit të çdo anëtari, po ndërtojmë një rrjet shpëtimi gjithnjë e më të fortë dhe të përgatitur për çdo situatë”, thuhet në njoftimin e organizatës.


