Në heshtjen e ndjerë të fundtetorit u shua zemra e një prej mjekëve të dashur të Durrësit, mjekut Anastas Qerimit, i njohur për të gjithë me përzemërsi si Dr. Caci. Një figurë që për më shumë se pesë dekada mishëroi përkushtimin, humanizmin dhe profesionalizmin e mjekut ideal, ai mbetet një shembull frymëzues për brezat e mjekëve që erdhën pas. Dy vitet e fundit të jetës i kaloi në Shtetet e Bashkuara, pranë të birit Erindit ku u trajtua dhe për sëmundjen. Atje dhe iu dha lamtumira e fundit nga familjarët.
Lindur më 3 korrik 1945 në Durrës, qytetin që e deshi dhe i shërbeu gjithë jetën, Dr. Caci do të niste rrugëtimin e tij fisnik në vitin 1969, kur u diplomua me rezultate të shkëlqyera si mjek i përgjithshëm. Ishte koha kur mjekësia kërkonte jo vetëm dije, por edhe shpirt shërbimi. Dhe ai i kishte të dyja. Fillimet e tij në qendrën shëndetësore të Shkozetit (1969–1970) ishin dëshmi e pasionit dhe përulësisë me të cilën iu përkushtua profesionit.
Në vijim, ai do të specializohej në otorinolaringologji, duke u bërë një nga emrat më të respektuar të kësaj fushe. Nga viti 1973 deri në 1978, shërbeu si drejtor dhe mjek ORL në spitalin e Ishmit, ku u dallua për profesionalizëm, qetësi dhe përkushtim ndaj çdo pacienti. Më pas, gjatë viteve 1978-1982, dha kontributin e tij të çmuar në spitalin e Durrësit, ku krijoi lidhje të forta njerëzore e profesionale me kolegët dhe qytetarët.
Në periudhën 1982-1986, Dr. Qerimi shërbeu në Spitalin e Kavajës, për t’u rikthyer më pas në Spitalin dhe Poliklinikën Qendrore të Durrësit, vendi ku kaloi pjesën më të gjatë të jetës së tij profesionale. Për më shumë se tri dekada, ai ishte jo vetëm mjeku i besuar i mijëra pacientëve, por edhe njeriu që i dëgjonte, i qetësonte dhe i trajtonte me dashuri e respekt.
Edhe pas daljes në pension, Dr. Caci nuk e la pasionin për mjekësinë. Ai vazhdoi të punonte me përkushtim, derisa sëmundja e detyroi të tërhiqej. Por edhe në ditët e vështira, ai mbeti i njëjti. I buzëqeshur, me fjalën plot humor dhe mirësinë që i jepte dritë çdo takimi.
Kolegët e kujtojnë si një njeri të mençur e modest, që nuk kërkonte lavdi, por linin pas vetëm mirënjohje. Pacientët e kujtojnë për dorën e sigurt, humorin dhe zemrën e madhe. Durrësi e kujton si një figurë të dashur, të respektuar dhe të paharruar.
Dr. Anastas Qerimi (03.07.1945 – 21.10.2025) la pas një trashëgimi profesionale dhe njerëzore që do të mbetet gjallë në kujtimet e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Me buzëqeshjen e tij, humorin, fjalën e mirë dhe me jetën e tij në shërbim të njeriut, ai do të mbetet përherë një simbol i mjekut me shpirt, që jetoi për të shëruar të tjerët dhe një shembull për mënyrën si e përballoi sëmundjen me kurajo e sportivitet.
U prehtë në paqe, Dr. Caci. I paharruar qoftë kujtimi i tij!
V.Q.
©️zërionline


