Sot dita e Gjuhës Shqipe, projekt madhor për Gramatikën! Memisha: Fjalori i madh i shqipes, online nga 1 janari 2026

Date:

Share post:

22 nëntori shënon Ditën Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe, një datë historike kjo e lidhur me Kongresin e Manastirit dhe unifikimin e alfabetit shqip. Në këtë kuadër, Instituti i Gjuhësisë po finalizon një projekt madhor për Gramatikën bashkëkohore të shqipes.

Fonetika dhe fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe gramatika e shqipes janë në qendër të projektit të fundit të ndërmarrë nga studiuesit e gjuhësisë.

“Pa mohuar punën e jashtëzakonshme që është bërë prej një shekulli e ca,  por po flasim për traditën e gramatikave të hartuara nga personalitete të tilla si Sami Frashëri apo Kostandin Kristoforidhi, Gjergj Pekmezi apo të tjerë në vitet ’40-të. Vijmë te gramatika shkencore e Akademisë së Shkencave. Gramatikat që përmenda janë gramatikat e individëve, por që çojnë tek shkolla sesa çojnë tek një përgjithësim i strukturës gramatikore të shqipes. Me krijimin e Akademisë së shkencësore të Shqipërisë u hartuan dhe veprat madhore që lidhen me strukturën gramatikore të shqipes, morfologjia dhe sintaksa siç u hartua dhe Fonetika e gjuhës shqipe dhe Fjalori i Gjuhës Shqipe të 1980, që japin profilin e strukturës gramatikore të shqipes bashkëkohore. Projekti synon që të sjellë konceptime të reja bashkëkohore, duke mos e parë gjuhën në vetvete për vetveten, siç mund të jetë morfologjia dhe sintaksa, por duke e parë nga ligjërimi, nga diskursi, nga përdorimi tek gramatika, dhe prekëndej pra, të bëjmë një gramatikë sa më afër përdoruesit, një gramatikë që të jetë sa më e zhdërvjellët, por duke sjellë dhe të gjitha konceptet bashkëkohore të botës sot dhe përvojën më të mirë të gjuhëve me gramatika bashkëkohore, siç janë frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja e të tjera.”, thotë për “Report TV” drejtuesi i Institutit të Gjuhësisë, Valeter Memisha.

Një tjetër projekt madhor që po përmbyllet është Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, i cili nga 1 janari do të jetë online me rreth 125 mijë njësi leksikore, ndërsa më vonë do të botohet edhe në versionin e printuar.

“Në datën 22 dhjetor, si Akademi ne dorëzojmë fjalorin tonë, gati-gati të përfunduar dhe në 1 janar, pavarësisht se premtimin e thamë vjet për në 1 janar, po vjet ne paraqitëm një vepër me rreth 100.000 njësi, kurse gjatë kësaj kohe vepra vajti 125.000 njësi, pra u shtua vëllimi me 25%. Nga 1 janari vepra do të jetë në sistemin online për t’u përdorur me të drejtë hyrjeje dhe përdorimi apo i aksesueshëm nga përdoruesi: po them studiues, nga përdoruesi gazetar, nga përdoruesi shkencëtar, nga përdoruesi i zakonshëm, nga përdoruesi shqiptar dhe i huaj. Vepra do të jetë në një vit rresht, në një trysni, po them kqyrje, duke qenë e hapur për vërejtje që mund të ketë, për përmirësimet që do të jenë hap mbas hapi. Vepra në gjendjen e sotme është 10.500 faqe, domethënë do të dalë në disa vëllime dhe është një punë e jashtëzakonshme e një grupi pune me rreth 100 e ca veta: 55 deri në 60 kanë qenë bashkëpunëtorë, 25 janë grupi i artuesve, nëntë veta është grupi i redaksisë etj.”, vijon Memisha.

Memisha ngriti shqetësimin për dobësimin e përdorimit të shqipes, sidomos te të rinjtë, për shkak të ndikimit të anglishtes, përdorimit të teknologjisë dhe varësisë nga përkthimet automatike. Ai theksoi dëmtimin e sintaksës dhe varfërimin e kompetencës leksikore.

“Shqipja është në përdorim, por krijohen situata të tilla që me të vërtetë profesor Xhevat Lloshi e shtron si një gjendje bilinguizmi në popullsinë shqiptare. Sidomos brezi i ri, që është në shkollë, anglishten sot e ka gati- gati si gjuhë amtare. Fatkeqësisht në nivele të arsimit fillor, por dhe arsimi i mesëm e i lartë kanë një prirje për të folur anglisht, për të komunikuar anglisht, madje edhe mendimet i ndërtojnë në anglisht. Kjo ndikon si strukturë edhe tek vetë shqipja.”, vëren ai.

Drejtori i Institutit të Gjuhësisë kërkoi më shumë angazhim të shkollës, institucioneve dhe mediave për të nxitur leximin, letërsinë shqipe, kulturën e fjalës dhe përdorimin e drejtë të gjuhës standarde, duke theksuar se letërsia është laboratori ku pasurohet gjuha./Shqiptarja

spot_img

Artikuj të lidhur

Dyshohet se u vra për 500 euro borxh nga i riu italian, bashkëshortja e 31-vjeçarit shqiptar rrëfen dhimbjen

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 31-vjeçarit shqiptar, Denaldo Maxhallaku, i cili u gjet...

Nga 1 janari, rritje pagash për të gjithë efektivët e Policisë, sa do të përfitojnë sipas gradave

Punonjësit e Policisë së Shtetit pritet të përfitojnë rritje pagash nga 1 janari, ku efektivët e rolit bazë...

Tragjedia me 68 viktima në Spanjë/ Tre gabimet që çuan në përplasjen e trenave

Spanja po përballet me pasojat e një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore, ku të paktën 68 persona...

Rezultuan me aflatoksinë, Kroacia bllokon ngarkesën me fiq të thatë nga Shqipëria

Kroacia ka bllokuar një ngarkesë me fiq të thatë të importuar nga Shqipëria. Sipas sistemit RASFF, analizat kanë treguar...