Një 29-vjeçar nga Durrësi, i cili vetëm tre vite më parë ishte përfshirë në një aksident të rëndë me dy viktima në superstradën Durrës–Tiranë, ka rënë sërish në pranga, kësaj here për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vjedhje të kryera në bashkëpunim. Operacioni policor i koduar “Masa” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Policinë e Durrësit, të cilët vunë në pranga edhe një nga bashkëpunëtorët e tij, ndërsa vijon puna për identifikimin e të tretit.

Aksidenti tragjik i vitit 2022
Tivari, sot i ndaluar për vjedhje, u bë i njohur për publikun në nëntor të vitit 2022, kur u përfshi në një aksident të rëndë në superstradën Durrës–Tiranë. Përplasja ishte fatale.
Roxhesa Klironomi, 24 vjeçe, dhe Silva Gjergji, 26 vjeçe, humbën jetën, ndërsa vetë Tivari, drejtues i mjetit ku udhëtonte me dy viktimat, mbeti i plagosur rëndë.
Sipas hetimeve të asaj ngjarjeje, i riu humbi kontrollin e mjetit tip Ford, duke u përplasur fillimisht me trafikndarësen, më pas me barrierat metalike anësore dhe përfundoi jashtë rruge. Ndaj tij, Gjykata vendosi fillimisht masën “Arrest me burg” në ambientet spitalore. Por pas vlerësimit të gjendjes së tij shëndetësore, masa u zbut në “Arrest në shtëpi”. Ai u akuzua për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave.
Nga një aksident tragjik te vjedhjet
Pavarësisht detyrimit për të qëndruar në banesë, Tivari ka thyer masën e sigurisë dhe, sipas hetimit të Policisë, ka vijuar aktivitetin kriminal në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Në kuadër të operacionit “Masa”, është arrestuar:
- Arbër Tivari, 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës
- Mario Çelpica, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës
Hetimet kanë zbuluar se më 18 nëntor 2025, gjatë natës, ata, së bashku me një bashkëpunëtor ende të paidentifikuar, hynë në lokalin e shtetasit L. K., në lagjen nr. 18 Durrës, duke vjedhur sende me vlerë rreth 3 milionë lekë të vjetra.
Policia ka sekuestruar automjetin e përdorur për transportimin e sendeve të vjedhura, si dhe veshjet e maskimit të përdorura gjatë vjedhjeve. Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorit të tretë dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera të dyshuara.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale
“vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.


