Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shijakut, pasi dyshohet se është autori i disa vjedhjeve të kryera në biznese të ndryshme në zonë. Sipas të dhënave zyrtare, Ramazan Tari akuzohet se ka vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë në një market dhe në dy biznese në fshatrat Borak dhe Xhafzotaj.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Shumat”, i organizuar pas një pune disa ditore të specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Shijakut.
“Gjatë hetimeve është konstatuar se i ndaluari dyshohet se është autori i tre vjedhjeve të kryera më herët në biznese të zonës, ku ka marrë para, sende me vlerë dhe aksesorë të ndryshëm”, – njoftoi Policia.
Si provë materiale, autoritetet kanë sekuestruar rrobat që i riu dyshohet se ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, pasi dyshohet se 27-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjeje që janë në proces verifikimi. Materialet i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për akuzën e “Vjedhjes”.
©️zërionline


