Sot, më 26 nëntor 2025, Shqipëria përkujton një prej ditëve më të errëta të dekadave të fundit, një tragjedi që ende lë plagë të hapura në zemrat e shumë familjeve, edhe pse koha ecën. Para gjashtë vitesh, në orën 03:54 të mëngjesit, një tërmet 6.4 ballë goditi vendin, një lëkundje që zgjati pak më shumë se çerek minute, por la pas dhimbje, humbje dhe një sfidë kolosale për rindërtimin dhe rimëkëmbjen. Durrësi atë ditë përkujtonte ngritjen e flamurit, ashtu si dhe sot e çdo vit. Një datë që do mbetet në kujtesën e qytetit përherë, si një datë simbol historike dhe një datë dhembjeje e mbijetese.
Sipas raporteve zyrtare, tërmeti mori jetën e 51 njerëzve dhe plagosi më shumë se 900.
Pasojat ishin masive. Afro 1,183 shtëpi e godina u shkatërruan plotësisht, mbi 5,500 banesa të tjera dhe 558 pallate u dëmtuan rëndë.
Pasojat më të mëdha qenë në Durrës dhe Thumanë, që u kthyen në simbol të vuajtjes dhe ringritjes kombëtare.
Goditjet nuk përfunduan me qendrën, dëmtime u shënuan edhe në Tiranë, Kurbin, Lezhë e zona të tjera periferike.
Shkaku ishte jo vetëm forca e lartë sizmike, por edhe terreni i butë, lëkundjet e thella, si dhe ndërtime me standarde jo të larta, faktorë që tradhtuan besimin e shumë banorëve në “sigurinë” e shtëpive.
Në ditët që pasuan, mijëra banorë u zhvendosën në çadra, palestra, hotele, godina sociale, apo edhe larg Shqipërisë, në periferi apo Kosovë. Raporti i parë identifikoi rreth 17,000 persona të pastrehë. Solidariteti ndërkombëtar u shfaq në mënyrë të jashtëzakonshme nga vendet fqinje, aleatë europianë dhe përtej oqeanit që kontribuan me ekipe emergjence, batanije dhe çadra.
Rindërtimi/ Progresi, sfidat, pritshmëritë
Pesë vjet më parë, kur doli lajmi se rindërtimi në Durrës pritej të përfundonte në vitin 2026, ishte një sinjal i qartë se rruga do të jetë e gjatë.
Sot, sipas të dhënave zyrtare, rreth 90% e ndërtesave me dëmtime klasifikuar si DS3 dhe DS4 janë rikonstruktuar, ndërsa pjesa tjetër janë ende në proces përforcimi.
Po ashtu, ndërtesat arsimore (shkolla, palestra) janë rindërtuar kryesisht, duke u rikthyer fëmijëve dhe adoleshentëve ambientet e tyre të edukimit. Të tjerë janë ende në pritje, në turne pasditeje, në shkolla pritëse.
Ndërkaq për shumë familje “rikthimi në shtëpi” mbetet një ëndërr që vonon. Ndonëse numri i objekteve të rikonstruktuara është i lartë, problemi i besueshmërisë, i transparencës në procedura, dhe i prioritetit për familjet më të prekura ka mbetur shqetësues.
Kujtesa për viktimat, për rezistencën, për të ardhmen
Në përvjetorin e gjashtë, vendi ynë nuk përkujton vetëm humbjet, ata që nuk janë më, por përkujton edhe rezistencën, guximin e ekipeve të shpëtimit, solidaritetin e mijëra vullnetarëve dhe organizatave, familjeve dhe përpjekjet e përditshme për të rindërtuar më mirë.
Por kujtesa duhet të jetë aktive, jo vetëm me momente homazhi, por me përkushtim për përmirësimin e standardeve të ndërtimeve, për kontroll të rreptë të infrastrukturës dhe për mbështetje reale për ata që ende presin çatinë e sigurt.
Sot, kur kujtojmë statistika, 51 të vdekur, qindra të plagosur, qindra ndërtesa të shembura, mijëra familje të pastrehë, kujtimi duhet të na nxitë të mos lejojmë kurrë më që “shtëpia jonë” të jetë thjesht simbolike, por siguri, mbrojtje dhe dinjitet për çdo familje.
Në këtë përvjetor, përkulim kokën për humbjet, por dhe për ata që u kthyen në dritë mes errësirës; për ata që ia dolën dhe për ata që ende presin. Sepse ndërtimi nuk mbaron me muret. Ai është proces, përgjegjësi dhe mbi të gjitha premtim për të mos harruar.
V. Q.
©️zërionline


