Një 15-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje jetike në Spitalin Rajonal të Durrësit, pasi mbërriti në urgjencë në gjendje tejet kritike, me plagë të shumta depërtuese dhe dëmtime serioze të organeve të brendshme, të shkaktuara nga një mjet prerës.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, mjekët konstatuan dy çarje rreth 2 cm në zemër, të shoqëruara me tamponadë kardiake një gjendje e rëndë që rrezikon menjëherë jetën, si dhe një çarje 3 cm në stomak. Situata e të riut u vlerësua si “gjendje kufi”.
Reagimi i stafit mjekësor ishte i menjëhershëm. Pacienti u dërgua pa humbur kohë në sallën e operacionit, ku ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të ndërlikuar për të menaxhuar dëmtimet jetike dhe për të rikthyer stabilitetin hemodinamik.
Spitali bën të ditur se ndërhyrja u krye nga kirurgët Fitim Shini dhe Eneid Demiraj, ndërsa pjesë e ekipit ishte edhe anestezisti A. Banushi. Falë profesionalizmit dhe koordinimit të tyre, operacioni rezultoi i suksesshëm.
15-vjeçari aktualisht ndodhet në shërbimin e Reanimacionit, në gjendje të stabilizuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.
Spitali Rajonal i Durrësit nënvizon se rasti tregon edhe një herë rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe të punës së përkushtuar të stafit mjekësor në situata emergjente që sfidojnë kufijtë e mjekësisë së urgjencës.
©️zërionline


