15-vjeçari Erion Boba që humbi jetën pas plagëve të marra me thikë gjatë një sherri mes adoleshentëve në Durrës, do të prehet në fshatin e lindjes,në Bulqizë. Ngjarja e rëndë, sipas familjes së tij, ka ardhur krejt papritur dhe pa asnjë lidhje me konfliktin.
Babai i të miturit, Adem Boba, rrëfen se djali ishte nisur për në punë, pas shkolle, kur disa shokë i kërkuan t’i shoqëronte “për një sqarim” me disa të tjerë. Sipas tij, Erioni nuk i njihte palët e përfshira dhe nuk kishte asnjë përplasje me ta.
Ai thotë se djali ndërhyri për t’i ndarë, por mbeti i goditur rëndë me thikë, në një situatë ku dyshohet se ishin të pranishëm 6-7 adoleshentë nga të dyja palët. Ai nuk është shumë i sigurt pë rrjedhën e ngjarjes, pasi përparësi deri tani ka pasur jeta e tij.
“Djali ka qenë duke shkuar për në punë. I kanë dalë disa shokë dhe i kanë thënë t’i dërgonte diku se kishin një muhabet për të sqaruar. As nuk i njihte ata çunat. Aty ka nisur konflikti dhe djali im ka mbetur më i dëmtuar. Ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe ka marrë thika”, tregon i ati Adem Boba.
Ai shton se prindër të palëve të tjera kanë folur për “gjaknxehtësi”, ndërsa ai vetë kërkon që drejtësia të bëjë detyrën.
“Pres të funksionojë ligji, dua çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë. Ne erdhëm këtu për një jetë më të mirë… Kam punuar në minierë në Bulqizë, tani rrija me qira. E kisha bërë edhe një marrëveshje që nëse shpëtonte çuni, do t’i falja… Por tani gjërat ndryshojnë.”
Familja e Bobës kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, teksa komuniteti i zonës mbetet i tronditur nga humbja e një të mituri.
©️zërionline


