Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë pasdite në portin e Durrësit, ku një marinar 24-vjeçar me shtetësi azere ka humbur jetën teksa ndodhej në detyrë. Rreth orës 17:50, i riu u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, por fatkeqësisht ndërroi jetë gjatë rrugës.
Shtetasi J. A., 24 vjeç, pjesë e ekuipazhit të anijes Kybele me flamur të Panamasë, dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë punës në bord.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe shkaqet që çuan në humbjen e jetës së të riut. Autoritetet portuale dhe policia po bashkëpunojnë për zbardhjen e plotë të incidentit.
©️zërionline


