Mbrëmja e 25 dhjetorit u kthye në tragjedi në aksin Levan-Tepelenë, ku një aksident i rëndë automobilistik i mori jetën një të mituri, që, sipas policisë, ishte vetëm 16 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, në vendin e njohur si kryqëzimi i Cakranit.
Në aksident u përfshinë dy automjete, një Mercedes Benz i drejtuar nga një 30-vjeçar dhe një Peugeot, të cilat u përplasën me forcë, ndërsa mjeti i drejtuar nga viktima po hynte në autostradë. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit Peugeot, shtetasi O. M., rreth 16 vjeç, ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt spitalit.
Drejtuesi i mjetit tjetër ka pësuar dëmtime të lehta dhe është shoqëruar në komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe një mjet zjarrfikës, të cilët kanë ndërhyrë për normalizimin e trafikut dhe pastrimin e aksit rrugor.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti tragjik.
©️zërionline


