Një episod dhune ka tronditur ditën e Krishtlindjes qytetin e Kavajës, ku një konflikt për motive të dobëta brenda një biznesi privat ka përfunduar me përdorimin e thikës.
Rreth orës 10:00, në zonën e njohur si “Agjensia”, në ambientet e marketit “Ligeja”, shtetasi Eri Velecia, 42 vjeç, dyshohet se ka hyrë në lokal dhe ka nisur të shqetësojë personelin dhe klientët. Sipas të dhënave paraprake, ai ka tentuar të marrë mallra pa paguar dhe, pasi ka hasur në kundërshtimin e pronarit, konflikti ka agravuar.

Në përpjekje për të ndërhyrë, pronari i marketit, Artur Ligeja, 52 vjeç, është goditur me mjet prerës në dorë, duke pësuar një dëmtim të lehtë. I plagosuri ka marrë ndihmë mjekësore në spital dhe më pas është kthyer në banesë. Ligeja kishte jetuar për disa vite jashtë vendit, përpara se të rikthehej në Kavajë dhe të investonte në bizneset e tij.
Pas ngjarjes, autori dyshohet se ka dëmtuar edhe xhamat e marketit, si dhe xhamat e një biznesi tjetër aty pranë. Nga veprimet e para hetimore, policia bën me dije se 42-vjeçari dyshohet të jetë përdorues i lëndëve narkotike dhe të ketë probleme të shëndetit mendor.
Eri Velecia është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e hetimeve.
©️zërionline


