Një aksident i rëndë rrugor është shënuar këtë të martë në unazën e qytetit të Lushnjes, ku një motoçikletë është përplasur me një automjet që po dilte nga ambientet e një biznesi buzë rrugës.
Përplasja ka qenë e fortë, duke lënë të plagosur drejtuesin e motoçikletës, i identifikuar si Marius Doksani, 33 vjeç nga Berati. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe patrullat e rendit, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë rregulluar qarkullimin e mjeteve.
Unaza e qytetit të Lushnjes konsiderohet një nga akset më problematike për sigurinë rrugore, pasi përgjatë saj ndodhen dhjetëra biznese, me hyrje-dalje të shpeshta mjetesh, duke e bërë zonën shpeshherë burim aksidentesh. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
©️zërionline


