Ishte nisur për t’u kthyer në banesë, por sapo u fut në hyrjen e pallatit në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër, një shpërthim i fuqishëm, i mori jetën Hysni Ymerit, 67 vjeç. Deri në spital ka shkuar gjallë ndërsa për pak minuta ndërroi jetë si shkak i plagëve të rënda në kokë.
Hetuesit dyshojnë që autori apo autorët, kanë shpërthyer në distancë me telekomandë një sasi eksplozivi të vendosur në panelin e matësve të pallatit, sapo kanë parë viktimën të futet në pallat. Policia në një njoftim paraprak për ngjarjen tha se shpërtheu paneli i matësve, por OSHEE e mohoi dhe sqaroi se shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të panelit të matësve në pallat, pasi sahati nuk shpërthen, por shkakton zjarr.
Dyshimet e grupit hetimor janë se ngjarja mund të jetë për gjakmarrje për një episod të 30 viteve më parë. Në vitin 1995 vëllai i Hysni Ymerit, që sot iu bë atentat, është dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër, ku vrau Shefqet Çekorjen.
Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata. Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës.
Djali i viktimës, Alban Ymeri deklaroi për policinë se nuk kanë probleme me askënd dhe se nuk kanë patur kërcënime. Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën. Edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën, ndërsa 67-vjeçari pas kafes me miqtë do të shkonte në spital tek bashkëshortja.
©️zërionline


