⁴Në 11 janar 1953, Durrësi, qyteti me një histori gati tremijëvjeçare, do të shënonte një moment kyç në jetën e tij kulturore, lindjen e teatrit profesionist që sot mban emrin e aktorit me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Që nga ajo ditë, kjo skenë nuk ka qenë thjesht një institucion arti, por një hapësirë e gjallë reflektimi, dialogu dhe formimi shpirtëror për breza të tërë qytetarësh.

Themelimi i teatrit erdhi falë përkushtimit të 14 aktorëve, shumë prej tyre të dalë nga lëvizja amatore, të cilët hodhën themelet e një tradite të mirëfilltë teatrore në ish-kinemanë “14 Nëntori”. Më pas, rrugëtimi i tij u lidh ngushtë me godinën aktuale, të përuruar më 4 shkurt 1965, e cila prej dekadash është kthyer në një pikë referimi për jetën artistike të qytetit.
Në këto 73 vite, teatri “Aleksandër Moisiu” ka përballuar sfida të shumta, edhe periudha të errëta, nga ndryshimet politike, shoqërore e ekonomike, te kushtet infrastrukturore dhe transformimet e shijeve të publikut, por ka vijuar të gjallojë pa ndërprerje. Me mbi 255 premiera, dhjetëra çmime dhe vlerësime në rang kombëtar e më gjerë, ai ka ndërtuar një identitet të fortë artistik, ku fjala, interpretimi dhe mendimi kritik kanë synuar të jenë gjithnjë në qendër.
Sot, teatri synon, përmes një trupe aktorësh me ambicie, përkushtim dhe dëshirë, të komunikojë me publikun përmes fuqisë së skenës. Shfaqjet e tij ndër vite nuk synojnë vetëm argëtimin, por edhe pasurimin artistik dhe intelektual të qytetarëve, duke e bërë teatrin një aktor aktiv në formimin e mendimit shoqëror.
Në 73-vjetorin e themelimit, Teatri “Aleksandër Moisiu” mbetet dëshmi se arti i skenës, edhe në kohë të vështira, ka fuqinë të bashkojë, të sfidojë dhe të frymëzojë. Një skenë që i reziston kohës dhe vazhdon t’i flasë qytetit me gjuhën e artit.
Qoftë kjo skenë gjithmonë e ndriçuar nga drita e artit, e mbushur me zëra që sfidojnë heshtjen dhe me role që lënë gjurmë në mendjen e shpirtin e publikut. Le të vijojë teatri “Aleksandër Moisiu” të jetë shtëpia e fjalës së guximshme, e emocioneve të vërteta dhe e brezave që rriten me dashurinë për artin.
Edhe shumë dekada të tjera krijim, frymëzim dhe duartrokitje pa fund!
©️zërionline


