Nga spitali te riintegrimi, Plani emergjent për tre fëmijët e Blerinës

Date:

Share post:

Nga një situatë alarmante shëndetësore, drejt një ndërhyrjeje të koordinuar institucionale. Tre fëmijët dhe nëna e tyre, Blerina Basha, do të mbeten nën kujdes mjekësor në spital deri në shërimin e plotë nga sëmundja infektive e zgjebes, ndërsa paralelisht është vënë në lëvizje një plan i gjerë mbështetjeje sociale, me synimin për ta mbajtur familjen të bashkuar dhe për ta riintegruar atë në shoqëri.

Vendimi është marrë pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), ku u dakordësua ndërhyrja e menjëhershme për sigurimin e të gjitha medikamenteve të nevojshme, veshmbathjeve për fëmijët dhe trajtimin mjekësor të plotë për të gjithë anëtarët e familjes. Për shkak të mungesës së barnave në pediatri, medikamentet pritet të sigurohen përmes ndihmës së organizatave Nisma ARSIS dhe World Vision, të cilat kanë marrë përsipër edhe financimin e ndërhyrjeve emergjente.

Drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, bëri me dije se pas daljes nga spitali, familja do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme sociale në banesë. Ndërkohë, do të kryhet pastrimi dhe dezinfektimi i apartamentit, për të garantuar kushte minimale jetese dhe për të shmangur rrezikun e riinfektimit.

Në planin afatmesëm, institucionet do të nisin procesin e pasaportizimit dhe zhvendosjes së regjistrimit të familjes, e cila aktualisht figuron e regjistruar në Vau i Dejës, ndërsa vetë Blerina është nga Berati. Regjistrimi si banorë të Durrësit do t’i hapë rrugë përfshirjes në skemat e strehimit social të bashkisë.

Një tjetër hallkë e rëndësishme e ndërhyrjes lidhet me nënën e fëmijëve. Përmes Zyrës së Punës do të shqyrtohet mundësia e gjetjes së një pune të rregullt dhe dinjitoze, me orar 8-orësh, në mënyrë që ajo të mos detyrohet të punojë deri në 16 orë në ditë dhe të ketë më shumë kohë për mirërritjen e fëmijëve. Krahas kësaj, do t’i ofrohet edhe mbështetje psiko-sociale.

Shërbimi Social ka paralajmëruar se do të kryejë kontrolle të përditshme dhe të befasishme për të monitoruar situatën familjare. Nëna do të jetë në një periudhë prove, ku do të vlerësohet aftësia e saj për të ushtruar kujdestarinë, me synimin përfundimtar mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve dhe mbajtjen e familjes së bashku.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...

Fushë-Prezë/35-vjeçari me makinë përplas për vdekje këmbësorin 58-vjeçar

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Fushë-Prezë, Tiranë,...