Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Durrës, ku një i burgosur, i shtruar për probleme shëndetësore në pavijonin infektiv të spitalit rajonal, mendohet se është arratisur. Bëhet fjalë për Altin Ndocin, një emër i njohur për drejtësinë, i arrestuar më herët me urdhër të SPAK.
Lajmi mbetet ende zyrtarisht i pakonfirmuar nga autoritetet, por burime jozyrtare bëjnë me dije se Ndoci ndodhej nën masa sigurie gjatë trajtimit mjekësor, ndërsa rrethanat se si mund të ketë ndodhur arratisja janë ende të paqarta. Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia apo institucionet shëndetësore për mënyrën e largimit apo për masat e marra pas dyshimeve për arratisje.
Altin Ndoci ka qenë i përfshirë në hetime të SPAK për çështje të rënda penale, në kuadër të dosjeve që lidhen me grupe kriminale dhe ngjarje të rënda në vend. Pikërisht për këtë arsye, arratisja e tij e dyshuar konsiderohet një ngjarje me ndjeshmëri të lartë dhe pritet të sjellë reagime institucionale.
Autoritetet pritet të dalin me një komunikatë zyrtare në orët në vijim për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një arratisje të mirëfilltë, si dhe për përgjegjësitë e mundshme lidhur me ruajtjen e të burgosurit gjatë qëndrimit në spital.
©️zërionline


