Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur sot shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj, i emëruar së fundmi në krye të burgut të Durrësit. Vendimi vjen një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci teksa ky i fundit ishte dërguar për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Veç shkarkimit të drejtorit, Lamallari ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë.
Pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues në IEVP Durrës.
Menjëherë pas ngjarjes së djeshme, Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve angazhim maksimal me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.
Po kështu ditën e djeshme u krye menjëherë pezullimi nga detyra i të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës. Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e planifikuar nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Ndërkohë gjatë ditës së sotme në pranga u vunë 8 persona:
- Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
- Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
- Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
©️zërionline


