Dosja/ Arratisja e Altin Ndocit nga spitali zbardh zinxhirin e shkeljeve në IEVP Durrës

Date:

Share post:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka regjistruar më 14 janar 2026 procedimin penal nr. 113/2026 për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, në lidhje me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal Durrës. Hetimi është nisur mbi bazën e materialeve të referuara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 13 janarit.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë ndaluar me iniciativë tetë punonjës dhe funksionarë të sistemit penitenciar, përfshirë infermierë, punonjës të Policisë së Burgjeve dhe personel informacioni. Ndalimet janë kryer në orët e vona të 13 dhe 14 janarit 2026, ndërsa të gjithë të dyshuarit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe procedurale, duke krijuar kushtet që çuan në arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas dosjes hetimore, Altin Ndoci ndodhej i paraburgosur në IEVP Durrës që prej majit të vitit 2020, me masë sigurimi “arrest me burg”, e caktuar nga Gjykata e Posaçme për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Pavarësisht këtij profili penal dhe një historie të gjatë paraburgimi, ai ishte vlerësuar nga komisioni i brendshëm i institucionit me “risk standard” për arratisje.

Ngjarja ka nisur në orët e para të mëngjesit të 13 janarit, kur infermjeri i IEVP Durrës ka kërkuar nga përgjegjësja e sektorit shëndetësor hartimin e një rekomandimi për vizitë mjekësore për katër të burgosur, përfshirë edhe Altin Ndocin. Sipas hetimeve, ky rekomandim është hartuar pa u kryer më parë vizita mjekësore, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e burgjeve. Më pas, urdhri për shoqërimin e të paraburgosurve drejt Spitalit Rajonal Durrës është miratuar nga drejtori i IEVP-së, pa u verifikuar procedurat paraprake dhe pa u garantuar masat e nevojshme të sigurisë.

Shoqërimi është kryer me një automjet të institucionit, ndërsa Altin Ndoci është transportuar fillimisht në pavijonin infektiv të spitalit. Sipas akuzës, gjatë qëndrimit në ambientet spitalore janë shkelur rregullat bazë të sigurisë: i paraburgosuri është lënë pa pranga, është mbikëqyrur nga më pak punonjës policie se sa parashikon ligji dhe është lejuar të lëvizë jashtë kafazit të sigurisë.

Momenti kritik ka ndodhur kur Altin Ndoci, duke u ankuar për dhimbje të forta dhe duke kërkuar të shkojë në tualet, ka përfituar nga hapja e zgarës metalike. Ai ka goditur një prej punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe ka mundur të largohet me vrap nëpër korridoret e spitalit, duke dalë nga ambientet e tij dhe duke humbur gjurmët. Pavarësisht një të shtënë paralajmëruese në tokë nga një punonjës policie, arratisuri ka arritur të largohet me ndihmën e një automjeti të dyshuar, në drejtim të zonës së kodrave.

Prokuroria vlerëson se e gjithë procedura, nga hartimi i rekomandimit mjekësor deri te shoqërimi dhe mbikëqyrja në spital, ka qenë në shkelje të hapur të Ligjit nr. 81/2020 për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, rregullores së përgjithshme të burgjeve, si dhe udhëzimeve për shoqërimin dhe sigurinë. Në mënyrë të veçantë, theksohet përgjegjësia e zinxhirit drejtues dhe komandues, për mungesë kontrolli dhe mbikëqyrjeje.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë penale të secilit prej të ndaluarve, si dhe për të zbardhur nëse ka pasur elementë të tjerë ndihmës në arratisjen e Altin Ndocit, një ngjarje që ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe funksionimin e sistemit penitenciar.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Rezultuan me aflatoksinë, Kroacia bllokon ngarkesën me fiq të thatë nga Shqipëria

Kroacia ka bllokuar një ngarkesë me fiq të thatë të importuar nga Shqipëria. Sipas sistemit RASFF, analizat kanë treguar...

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...