Një udhëtim që duhej të ishte festë u shndërrua në makth. Një furgon me tifozë të PAOK-ut të Selanikut, në rrugë drejt Francës për ndeshjen kundër Lionit në Europa League, u përfshi në një aksident të tmerrshëm në autostradën pranë qytetit Lugoj, në Rumani.
Shtatë persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Shumica ishin shtetas grekë, të moshës 25 deri në 30 vjeç.
Në minibus udhëtonin edhe dy shqiptarë, me shtetësi greke. Ministria e Jashtme e Shqipërisë bënëme dije se nga komunikimet e Ambasadës shqiptare në Rumani me autoritetet vendase dhe ato greke, rezulton se qytetari Vasile Palo ka humbur jetën, ndërsa qytetari Genci Sadiku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ky i fundit ka telefonuar fillimisht pranë Ambasadës greke në Bukuresht, ndërkohë, ambasada shqiptare në Bukuresht është gjithashtu në kontakt me autoritetet rumune dhe përfaqësinë diplomatike të Greqisë për informacione të mëtejshme.

Pamjet nga vendngjarja, që po qarkullojnë në mediat europiane, tregojnë përmasa shkatërruese. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga ana e autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë. Gjatë manovrës së rikthimit në korsi, u përplas fillimisht me cisternën dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në përplasje u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë persona humbën jetën në vend. I shtati ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike, ndërsa një i tretë, me plagë më të lehta, ishte ai që arriti të njoftojë shërbimet e emergjencës.
Ndërhyrja nga ajri ishte e pamundur. Kushtet e këqija atmosferike i detyruan autoritetet të heqin dorë nga helikopterët, ndërsa të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të Lugojt.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht janë angazhuar për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.
Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën për të plagosurit.
Pavarësisht tragjedisë, kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga UEFA.


