Një operacion i përbashkët i Policisë së Durrësit, Elbasanit dhe asaj të Tiranës po zhvillohet për zbatimin e masave të sigurisë të kërkuara nga Prokuroria dhe të miratuara nga Gjykata, në kuadër të hetimeve për skandalin e mbetjeve industriale të kompanisë “KURUM”.
Burime zyrtare bëjnë me dije se janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje. Prej tyre, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”. Vendimmarrja vjen pas mbërritjes nga Italia të rezultateve të analizave laboratorike për mostrat e mbetjeve të sekuestruara.
Lista e plotë:
Erdal Demir, administratori i “Kurum International”, arrest me burg
Yusuf Sezai Kurum, arrest me burg
Gjovana Sokolaj, arrest me burg
Doni Sokolaj, arrest me burg
Arta Dollani arrest shtëpie
Olizana Pemati, arrest me burg
Mujo Ilazaj, arrest me burg
Rami Bunga, arrest me burg
Harun Sarica, arrest me burg
Arif Shkalla, arrest me burg
Shaban Hyseni, arrest me burg
Mirjeta Zotaj, arrest shtëpie
Mikail Hila, arrest me burg
Mbarime Koroci, arrest me burg
Nazif Bajrami, arrest me burg
Andon Prifti, arrest me burg
Petrit Qosja, me burg
Julian Kapedani, arrest me burg
Indrit Likaj, arrest me burg
Helidon Lila, arrest me burg
Edmond Voda, arrest me burg
Shkëlqim Jakupi, arrest me burg
Florian Çimo, në arrest me burg
Gazmend Sina, arrest me burg
Ingo Hesse, me burg
Dritan Seferaj, arrest me burg
Kledina Skendo, arrest shtëpie
Evis Mellonashi, arrest shtëpiak
Kejdi Ahmetaj, arrest me burg
Iva Musa, arrest shtëpie
Skandali i mbetjeve industriale të KURUM po hyn në një fazë edhe më të rëndë, teksa hetuesit konfirmojnë se analizat nuk i klasifikojnë mbetjet thjesht si toksike, por si të dëmshme dhe potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut. Sipas burimeve pranë hetimit, përqendrimet e substancave të rrezikshme kanë rezultuar ndjeshëm mbi normat e lejuara, duke e zhvendosur çështjen nga një problem administrativ mjedisor në një rrezik real për shëndetin publik dhe sigurinë mjedisore.
Mostrat, të analizuara në laboratorë jashtë vendit, kanë ngritur alarmin për praninë e elementëve që lidhen drejtpërdrejt me rreziqe serioze shëndetësore, veçanërisht në rast ekspozimi afatgjatë. Pikërisht këto rezultate, sipas burimeve, kanë shkaktuar tensione të forta institucionale dhe përpjekje për shmangie përgjegjësie, duke e kthyer dosjen në një “çështje të nxehtë” që askush nuk dëshironte ta mbante.
Në këtë kontekst, hetimet penale pritet të mos fokusohen vetëm te aktiviteti i kompanisë KURUM, por edhe te roli i institucioneve shtetërore përgjegjëse për monitorimin dhe kontrollin e mbetjeve të rrezikshme. Në sitën e Prokurorisë përfshihen punonjës dhe zyrtarë të kompanisë, por edhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të fshehur për muaj me radhë skandalin dhe për të tjetërsuar dokumentacionin zyrtar, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
Dyshimet lidhen me mënyrën e klasifikimit të mbetjeve, me lejet e transportit dhe trajtimit, si dhe me dokumentacionin shoqërues që ka mundësuar lëvizjen e tyre jashtë territorit shqiptar. Sipas burimeve, ekzistojnë indicie të forta se një pjesë e dokumenteve është ndryshuar ose përshtatur për të shmangur etiketimin e mbetjeve si të rrezikshme, duke i hapur rrugë eksportit të tyre.
Skandali mori përmasa publike pas ndalimit të dy anijeve të nisura nga porti i Durrësit drejt Tajlandës, të cilat u kthyen pas nga autoritetet e huaja, pas dyshimeve se në bord ndodheshin mbetje të rrezikshme. Ky episod nxori në pah jo vetëm mungesën e kontrollit efektiv, por edhe një zinxhir të tërë përgjegjësish të paqarta mes kompanive private dhe institucioneve shtetërore.
©️zërionline


