Policia e Durrësit, në bashkëpunim me aktorët institucionalë përgjegjës, deklaron se ka intensifikuar masat për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, duke evidentuar një rënie të ndjeshme të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike nga viti në vit.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Durrës, ku u bë një analizë e detajuar e punës së kryer gjatë vitit 2025 dhe u hodhën bazat e strategjisë për vitin 2026. Takimi u drejtua nga Drejtori në detyrë i DVP Durrës, Drejtues Afrim Tafa, me pjesëmarrjen e Drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Drejtorit për Hetimin e Krimit të Organizuar, Edmond Rizai, Drejtorit të DVKM Durrës, Ermal Lila, si dhe përfaqësuesve të Prefekturës, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe strukturave policore vendore.
Në fokus të diskutimeve ishte vlerësimi i masave të ndërmarra deri më tani, identifikimi i zonave me risk të shtuar për kultivim të bimëve narkotike, kryesisht aty ku janë konstatuar raste në vitet e shkuara, si dhe rritja e efektivitetit të kontrolleve në terren, përfshirë patrullimet në këmbë dhe përdorimin e dronëve për monitorim nga ajri.
Gjatë takimit u përcaktuan edhe prioritetet për vitin 2026, të cilat përfshijnë intensifikimin e kontrolleve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimin e metodave të avancuara teknologjike për mbikëqyrjen e territorit. Objektivi kryesor mbetet goditja e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike që në fazën më të hershme.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës konfirmojnë angazhimin për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo rast të kësaj veprimtarie të paligjshme, duke vijuar operacionet, punën operative në terren, bashkëpunimin me qytetarët dhe kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin e qarkut.
©️zërionline


