Një ngjarje e rëndë u regjistrua një ditë më parë në Kukës, ku një nxënës i një shkolle 9-vjeçare mbeti i plagosur pranë ambientit të institucionit arsimor.
Sipas informacionevevendore, incidenti ka ndodhur në afërsi të godinës së ish-shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, aktualisht në proces rikonstruksioni nga një firmë ndërtimi. I mituri dyshohet se është afruar pranë kantierit për të marrë një top dhe në atë moment, nga kati i tretë i godinës janë hedhur materiale inerte, të cilat e kanë goditur duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në zonën e punimeve mungonin masat e nevojshme të sigurisë teknike dhe izolimi i plotë i kantierit, situatë që ka rritur ndjeshëm rrezikun për kalimtarët, sidomos për nxënësit që frekuentojnë zonën.
Fillimisht, i mituri është transportuar në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit, ku ka marrë ndihmën e parë. Për shkak të natyrës së plagëve dhe gjendjes shëndetësore, ai është nisur më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, Inspektoriati i Punës ka ndërhyrë duke pezulluar punimet në objekt dhe duke vendosur shiritat e sigurisë, pasi janë konstatuar mungesa në kushtet teknike dhe masat mbrojtëse në kantier.
Rasti rikthen në vëmendje domosdoshmërinë e zbatimit rigoroz të standardeve të sigurisë në kantieret e ndërtimit, veçanërisht kur ato ndodhen pranë shkollave dhe hapësirave të frekuentuara nga fëmijë. Autoritetet pritet të hetojnë rrethanat e plota dhe të përcaktojnë përgjegjësitë përkatëse.
©️zërionline


