Pas afro dy vitesh proces gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, Prokuroria paraqiti sot pretencën për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Seanca zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin.
Sipas Prokurorisë, Saraiva është përgjegjës për ekzekutimin e ndodhur në prill 2023 në Shëngjin, një ngjarje që shkaktoi reagim të gjerë publik.
Referuar dosjes hetimore, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Krimi ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, vrasja ka qenë e organizuar dhe e planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet thelbësor në realizimin e saj.
Gjatë seancave të mëparshme janë paraqitur prova materiale, dëshmi dhe ekspertiza, të cilat, sipas Prokurorisë, provojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në vijim.
Vrasja e Ardian Nikulajt
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Haxhia sipas policisë ka marrë hak për dajat, Elton e Klodian Lekstakaj, por pavarësisht kësaj, për dy vëllezërit, burime nga grupi hetimor thonë se nuk ka ende asnjë provë që ti përfshijë direkt në ekzekutimin e Ardian Nikuljat, për gjakmarrje. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit.
I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.
©️zërionline


