Aktorja Mimoza Marjanaku: “Rolin nuk e luaj, e jetoj”

Date:

Share post:

Kur dritat ndizen mbrëmjeve për të rrëfyer histori njerëzore, në skenën e Durrësit, zëri artistik i Mimoza Marjanakut mbetet një prani e qëndrueshme dhe lehtësisht e dallueshme. Aktorja i përket atij brezi që u formua në vitet e tranzicionit, në një kohë kur teatri shqiptar po përjetonte ndryshime të forta estetike dhe institucionale. Mes pasigurive dhe kërkimit për identitet të ri artistik, ajo ndërtoi rrugën e saj me durim, disiplinë dhe vetëdije të fortë për misionin e skenës.

Prej vitesh pjesë e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, Marjanaku ka krijuar një profil të qartë artistik, të mbështetur në kërkimin e vazhdueshëm dhe në ndershmërinë me rolin. Për të, aktrimi nuk është thjesht interpretim, por proces përjetimi. “Ka personazhe që nuk i luan, por i jeton”, shprehet ajo, një fjali që duket se përmbledh filozofinë e saj krijuese.

Rrugëtimi i saj në aktrim nuk ka qenë linear, i drejtë e pa pengesa. Përkundrazi, ka qenë një proces i vazhdueshëm zbulimi, ku çdo rol ka shërbyer si gur themeli në formimin e identitetit të saj artistik. Kontakti i parë me skenën mbetet një nga kujtimet më të forta: momenti kur dritat ndizen, heshtja e sallës bëhet e gjallë dhe frymëmarrja e publikut shndërrohet në energji të përbashkët.

Një nga përvojat më formuese në karrierën e saj ka qenë ngjitja në skenë përkrah emrave të mëdhenj të teatrit shqiptar si Yllka Mujo dhe Guljelm Radoja. Ajo e konsideron këtë bashkëpunim si një shkollë më vete, një mundësi për të mësuar jo vetëm teknikën, por edhe etikën e profesionit.

Rolet që lënë gjurmë

Në galerinë e dhjetra personazheve që ka interpretuar, një nga më sfiduesit mbetet roli i fundit, ai i Vesës në dramën “Gruaja me sirtare”, me tekst të Anisa Markarian dhe regji të Suela Bakos. Një personazh i ndërtuar mbi plagë të thella emocionale dhe përplasje të brendshme, që e ka detyruar aktoren të eksplorojë dimensione të errëta dhe të brishta të natyrës njerëzore.

Role të tilla, sipas saj, janë më të vështirat, por edhe më transformueset. Ato kërkojnë zhveshje emocionale dhe guxim për t’u përballur me anë të vetes që shpesh mbeten të fshehura. Pikërisht në këto sfida ajo gjen thelbin e profesionit.

Teatri mes lirisë dhe pasigurisë

E rritur profesionalisht në periudhën pas diktaturës, ndryshimit të regjimeve, Marjanaku e ka përjetuar nga afër transformimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Nëse dikur arti ishte i kufizuar nga ideologjia, sot ai gëzon më shumë liri shprehjeje. Megjithatë, kjo liri shoqërohet me sfida të tjera, veçanërisht ekonomike.

Me optimizëm, ajo vëren faktin që kinematografia shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në festivale ndërkombëtare, duke e parë këtë si një shenjë shprese. Por, sipas saj, arti ka nevojë për mbështetje të qëndrueshme dhe investim afatgjatë, në mënyrë që artistët të mund të krijojnë, aktrojnë me dinjitet dhe stabilitet.

Përzgjedhja e roleve

Mimoza Marjanaku e jeton skenën si një vend ku emocionet bëhen të dukshme dhe ku çdo rol është një udhëtim personal. Si aktore, ajo ka interpretuar role të ndryshme që kanë lënë gjurmë tek publiku, duke treguar aftësinë e saj për të sjellë realitete dhe ndjenjë në interpretim. Në përzgjedhjen e roleve, aktorja tregon se nuk është e hapur ndaj çdo oferte. Ajo kërkon thelb, një arsye ekzistence për personazhin dhe kompleksitet emocional. E tërheqin figurat me dritë-hije, karakteret që trazojnë dhe sfidojnë, që e detyrojnë të dalë nga zona e rehatisë, si artiste dhe si njeri.

Për të, marrëdhënia me publikun është thelbësore. Teatri është dialog. Një shkëmbim energjish që ndodh në kohë reale. Duartrokitjet janë vlerësim që të mbush, plotëson, por jo qëllim në vetvete. Në qendër mbetet gjithmonë ndershmëria, vërtetësia me rolin.

Në një realitet ku arti shpesh përballet me pasiguri, Mimoza Marjanaku mendon se skenës shqiptare i mungon më shumë siguria strukturore dhe mbështetja afatgjatë për artistët. Për këtë arsye, këshilla e saj për brezin e ri është e drejtpërdrejtë: të mos e romantizojnë profesionin.

Aktrimi kërkon disiplinë, sakrifica dhe qëndrueshmëri. Kërkon përkushtim edhe në momentet kur dritat fiken dhe pasiguria bëhet më e fortë. “Nëse ndjenja për skenën është më e fortë se frika, atëherë ia vlen çdo përpjekje”, thotë ajo.

Sepse, në fund, materiali më i madh i aktorit mbetet vetë njeriu, përvoja që mbart, plagët që ka kaluar dhe e vërteta që arrin të ndajë me publikun. Dhe pikërisht në këtë të vërtetë, Mimoza Marjanaku vazhdon të ngrejë identitetin e saj artistik, rol pas roli.Për Mimoza Marjanakun, skena, apo ekrani nuk është vetëm një vend pune, por një hapësirë ku jeta dhe arti bashkohen. Përmes çdo roli, ajo tregon se pasioni, përkushtimi dhe talenti nuk njohin kufij.

Intervista me aktoren Mimoza Marjanaku

Rrugëtimi juaj në aktrim ka nisur vite më parë. Cilat kanë qenë momentet kyçe që kanë formuar identitetin tuaj artistik?

Rrugëtimi im në aktrim nuk ka qenë një vijë e drejtë, por një proces i vazhdueshëm zbulimi. Moment kyç ka qenë kontakti i parë me skenën, ajo ndjesi e pazëvendësueshme kur dritat ndizen dhe heshtja e sallës bëhet frymë. Dhe nuk do ta harroj që kam qenë në skenë me Yllka Mujon dhe Guljelm Radojën. Më pas, çdo rol që më ka nxjerrë nga zona e rehatisë ka ndikuar në formimin tim. Kam mësuar se identiteti artistik nuk krijohet vetëm nga suksesi, por edhe nga dështimet, nga dyshimet dhe nga puna e përditshme me veten.

Cili rol ka qenë më sfidues për ju, jo vetëm profesionalisht, por edhe emocionalisht?

Roli më sfidues ka qenë ai që më ka detyruar të përballem me plagë të rënda. Ka personazhe që nuk i luan thjesht, por i jeton. Kur një rol prek dimensione të thella njerëzore, ai të ndjek edhe pasi bie perdja. Emocionalisht janë më të vështirët, por njëkohësisht edhe më transformuesit. I tillë ishte roli i Veses në dramën “Gruaja me sirtare”, i shkruar nga Anisa Markarian dhe me regji të Suela Bakos.

Sa ka ndryshuar teatri dhe kinematografia shqiptare që nga fillimet tuaja deri më sot?

Unë i përkas periudhës pas diktaturës, ku për hir të së vërtetës teatri dhe kinematografia, duke qenë armë ideologjike të sistemit, ishin prioritete. Por përsëri ndryshimi është i dukshëm. Nga një periudhë me më pak mundësi teknike dhe hapësira krijuese, kemi kaluar në një kohë me më shumë liri dhe eksperimentim. Megjithatë, sfidat mbeten, sidomos mes realitetit ekonomik dhe nevojës për art cilësor. Kinematografia shqiptare po gjen gjithnjë e më shumë zë në festivale ndërkombëtare, çka është shenjë shprese, por edhe thirrje e fuqishme për investim.

Çfarë kërkoni tek një personazh për ta pranuar si sfidë artistike? 

Sigurisht nuk jam e hapur ndaj çdo roli pa kriter. Kërkoj një arsye pse ai personazh ekziston. Më tërheqin figurat me dritë-hije, jo karakteret e njëanshme. Një personazh duhet të më trazojë, të më bëjë pyetje, të më sfidojë si artiste dhe si njeri.

Si e përjetoni marrëdhënien me publikun dhe sa ndikojnë reagimet e tij në punën tuaj?

Marrëdhënia me publikun është thelbësore. Teatri është dialog, jo monolog. Energjia që vjen nga salla është e pakrahasueshme. Reagimet ndikojnë, sigurisht, por përpiqem të mos udhëhiqem vetëm prej tyre. Duartrokitjet janë të bukura, por më e rëndësishme është ndershmëria me rolin dhe me veten.

Në një kohë kur arti përballet me sfida të reja, çfarë mendoni se i mungon më shumë skenës sot?

Mendoj se i mungon më shumë siguria dhe mbështetja afatgjatë. Artistët shpesh punojnë në pasiguri të vazhdueshme.

Nëse do t’i jepnit një këshillë brezit të ri të aktoreve, cila do të ishte ajo?

Do t’u thosha: Shumë të dashur djem e vajza, mos e romantizoni profesionin. Aktrimi është pasion, por është edhe disiplinë e hekurt. Ka sakrifica, ka pasiguri, ka momente kur mendon të heqësh dorë. Por nëse ndjenja për skenën është më e fortë se frika, atëherë ia vlen çdo përpjekje. Të punojnë me veten, të lexojnë, të vëzhgojnë jetën, sepse materiali më i madh i aktorit është vetë njeriu. Dhe mbi të gjitha, të ruajnë dinjitetin e tyre artistik.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...