Një konflikt i rrezikshëm mes dy personave në Shijak është parandaluar në kohë nga ndërhyrja e Policisë, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin Ismail Nuredini, 39 vjeç, banues në këtë qytet, i dyshuar për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Popullore”, ku 39-vjeçari, për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës (hanxhar) xhamin e automjetit të një 55-vjeçari me inicialet D.Ç. Pas këtij veprimi, ai e ka goditur fizikisht dhe e ka kanosur me hanxhar, duke e kërcënuar për jetën.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar.
Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një thikë dhe një hanxhar, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve dhe veprime të mëtejshme ligjore.
©️zërionline


