Një 39-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta në Kavajë, ndërsa reagimi i shpejtë i Policisë çoi në arrestimin e autorit të dyshuar dhe bashkëpunëtorit të tij.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 20:30, më 22 mars, në lagjen nr. 6. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë reagimit në kohë, u bë i mundur identifikimi dhe më pas lokalizimi i tij, pas rreth tre orësh, në lagjen 17/1 në Durrës, ku edhe u arrestua 42-vjeçari Pleurat Mustafa, banues në Kavajë.
Ai dyshohet se, pas konfliktit për motive të dobëta, plagosi me armë zjarri shtetasin B. D., 39 vjeç, banues në Rikaj, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Agim Çelhyka, 35 vjeç, banues në Kavajë, i cili dyshohet se ndihmoi autorin të largohej nga vendngjarja, duke e transportuar me automjet drejt Durrësit.
Pas disa orësh kërkime, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se u përdor në këtë plagosje dhe ishte hedhur nga autori gjatë largimit.


Në bashkëpunim me prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
©️zërionline


