Është ndarë nga jeta ish-drejtori i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës, Etmond Llabani. Ai kishte marrë detyrën në këtë institucion pas arratisjes së Altin Ndocit, duke u komanduar në krye të burgut në një moment të ndjeshëm për sigurinë e tij. Më herët, Llabani kishte shërbyer si drejtues edhe në burgun e Peqinit.
Në janar të këtij viti, pak ditë pasi mori detyrën në Durrës, ai pësoi një hemorragji cerebrale, gjendje që ndikoi rëndë në shëndetin e tij dhe e detyroi të dërgohej për trajtim në Itali. Pavarësisht përpjekjeve dhe kujdesit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.
Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndarë lajmin e trishtë me një mesazh prekës:
“Lamtumirë, Etmond! Pas një beteje të vështirë me shëndetin, kolegu ynë i nderuar, ish-drejtori i komanduar në IEVP Durrës, Etmond Llabani, u largua përgjithmonë nga kjo botë, por kujtimi i tij do të jetojë tek të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Etmondi ishte një njeri me vlera të çmuara njerëzore, i dashur e gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij, një koleg i palodhur dhe mbi të gjitha një baba i dashur e i përkushtuar. I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes, miqëve, shokëve dhe kolegëve të tij.”
Etmond Llabani mbahet mend si një drejtues i përkushtuar dhe një njeri me integritet, i cili në çdo detyrë dha kontributin e tij për sistemin e drejtësisë dhe sigurinë në burgje.
©️zërionline


