Një operacion i koduar “Shije e hidhur” ka zbuluar një skemë alarmante të shpërndarjes së drogave sintetike, të maskuara në formë karamelesh, pranë shkollave në Durrës.
Policia e Durrësit ka goditur një rrjet që prodhonte dhe shpërndante këto substanca të rrezikshme, duke synuar kryesisht adoleshentët.
Në pranga kanë rënë dy vëllezër, Ledio dhe Rubin Lemeti, 20 dhe 25 vjeç, lindur në Kavajë e banues në Tiranë, ndërsa një bashkëpunëtor i tyre 20 vjeçar është shpallur në kërkim. Hetimet zbuluan se grupi kishte ngritur një bazë të mirëorganizuar për përpunimin e drogave sintetike, të cilat më pas shndërroheshin në xhelatina dhe karamele, për t’u shpërndarë pranë shkollave të mesme.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi dhjetëra paketime me lëndë narkotike në formë karameleje, sasi kanabisi, materiale sintetike të gatshme për prodhim, si dhe pajisje të posaçme që shërbenin për përpunimin dhe paketimin e tyre.


Sipas policisë, një pjesë e lëndës narkotike iu gjet në çantë 20-vjeçarit Ledio Lemeti pranë bllokut të shkollave, që shton dyshimet për një shpërndarje të drejtpërdrejtë te nxënësit.
Sipas hetimeve, secili nga anëtarët e grupit kishte rol të caktuar, nga prodhimi, te transporti dhe deri te shitja e lëndëve narkotike.
Operacioni vjen në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e përhapjes së drogave te të rinjtë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.
©️zërionline


