Vijojnë hetimet për zbardhjen e atentatit të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë prova të rëndësishme që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Sipas të dhënave zyrtare, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit Besnik Kolndreut, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Polo”, pa targa, i përdorur nga autorët për kryerjen e krimit. Nga kontrolli në brendësi të mjetit janë sekuestruar dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me xham të pasmë dhe pjesë anësore të dëmtuara.
Në të njëjtin ambient është konstatuar edhe një automjet tjetër identik, por me targa të rregullta, në pronësi të shtetasit Besnik Kolndreut, që dyshohet se është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Gjithashtu, në oborrin e banesës janë gjetur dhe sekuestruar veshjet e përdorura nga autorët gjatë atentatit, si dhe një palë targa.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi F. M. ka marrë automjetin, të cilin motra e tij e kishte marrë me qira në Rinas, dhe pasi i ka hequr targat, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, e ka përdorur për t’i prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar ndaj tyre. Pas krimit, mjeti është fshehur në banesën e Besnik Kolndreu, i mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve. Në vijim të veprimeve, Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Besnik Kolndreu, 22 vjeç, banues në Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. Kolndreu, 79 vjeç, për “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, sekuestruar nga policia, shihen dy makinat “Audi A4” dhe “Volkswagen” pa targa që ndjekin çiftin gjatë itenerarit dhe qëndrojnë para lokalit. Teksa kalon një makinë policie, largohet mjeti pa targa me dy qitësit dhe në survejim qëndron ‘Audi’ i cili më pas i ndjek në rrugën e kthimit.
Pamjet filmike kanë ndihmuar grupin hetimor që të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorët e dyshuar të krimit, Florin, Renato dhe Adriano Mhillaj. Ky i fundit ishte në kërkim prej 3 muajsh nga Policia e Shkodrës pasi kishte kanosur me armë bashkëfshatarin e tij. 22-vjecari Mhillaj edhe pse në kërkim thurte planin për krimin e radhës. Ai është përgjuar nga policia, teksa komunikonte në telefon me kushëririn për atentatin. Po kështu “Audi A4”, i përdorur në vrasjen e çiftit Mujeci, është i njëjti që është përdorur në konfliktin e Shkodrës.
Çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, prindër të 4 fëmijëve të mitur u përcollën në banesën e fundit këtë martë, në Torovicë të Lezhës. Ata u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e 26 prillit në rrugën Balldren-Torovicë për gjakmarrje nga djali dhe nipat e Genc Mhillaj.
Zanafilla e konfliktit daton 10 vite më parë, kur një konflikt i çastit degjeneroi në krim. Mhillaj u ekzekutua në fshatin Mali i Jushit, ndërsa policia arrestoi Kreshnik Mujecin, vëllanë e tij dhe kushëririn.
Në vitin 2018, 2 vjet pas vrasjes së Mhillit, Gjykata e Shkodrës i shpalli të gjithë të pafajshëm për mungesë provash, ndërsa Apeli i Shkodrës nuk e pranoi ankimin dhe la në fuqi këtë vendim. Në 2024, Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim në Apelin e Tiranës, por ende nuk është caktuar data për nisjen e procesit gjyqësor.
©️zërionline


