Dosje të viteve ’80 nga Durrësi, por edhe mijëra çështje të trashëguara nga ish-Gjykata e Kavajës janë përfshirë në një proces të gjerë asgjësimi, që po prek një volum të konsiderueshëm dokumentacioni gjyqësor të ruajtur prej dekadash.
Sipas një informacioni zyrtar, Gjykata e Durrësit ka përgatitur për asgjësim gjatë vitit të kaluar, 2,856 dosje gjyqësore civile dhe penale të viteve 1984-1987, me 35,070 fletë dokumentacioni, pasi kanë përmbushur afatet ligjore të ruajtjes.
Por procesi shtrihet edhe mbi dokumentacionin e Zyrës së Shërbimit Kavajë, që pas reformës së re gjyqësore ka kaluar nën administrimin e Gjykatës së Durrësit. Në këtë fond janë përfshirë për asgjësim:
- dosje civile të ish-Gjykatës Kavajë për vitet 1978-1989
- dosje penale për vitet 1975-1997
Në total bëhet fjalë për 5,459 dosje, që përmbajnë 127,882 fletë dokumentacioni.
Të dyja proceset janë miratuar nga Komisioni i Ekspertizës pranë Gjykatës dhe më pas nga Komisioni Epror i Ekspertizës i Sistemit të Drejtësisë, në zbatim të legjislacionit për arkivat dhe administrimin e dokumenteve gjyqësore.
Nëse llogariten së bashku, fondi që po del nga arkivat përmes asgjësimit arrin në 8,315 dosje gjyqësore dhe 162,952 fletë dokumentacioni, një volum që tregon përmasën e këtij operacioni.
Procesi synon lirimin e hapësirave arkivore, sistemimin e fondit dokumentar dhe përmirësimin e administrimit, ndërsa prek edhe dosje që mbajnë historik të çështjeve të trajtuara ndër dekada.
Paralelisht, po vijon përpunimi i dosjeve civile të viteve 2011 dhe 2012 për transferim në Arkivin Shtetëror, ndërsa për herë të parë ka nisur edhe përpunimi i dokumenteve administrative me vlerë ruajtjeje të përhershme për vitet 2006-2010, fond që konsiderohet me rëndësi historike dhe institucionale.
Sipas gjykatës, këto veprime lidhen edhe me adresimin e problematikave të evidentuara ndër vite në administrimin arkivor, si dhe me krijimin e një sistemi më efikas për ruajtjen e dokumentacionit.
Teksa mijëra dosje dalin përfundimisht nga raftet, një pjesë e historikut gjyqësor të Durrësit dhe Kavajës po mbyll ciklin e saj arkivor.
Një nga problematikat kryesore të evidentuara nga Gjykata lidhet me mungesën e hapësirave të mjaftueshme fizike për sistemimin dhe administrimin e fondit arkivor të gjykatës.
Shpërndarja e arkivës në dy godina të ndryshme rrit kohën e nevojshme për identifikimin dhe tërheqjen e dosjeve gjyqësore, duke krijuar një ngarkesë shtesë për sektorin e arkivës dhe vështirësi të vazhdueshme në procesin e sistemimit të dokumentacionit.
Për rrjedhojë, sigurimi i hapësirave shtesë arkivore, si dhe organizimi i dokumentacionit sipas natyrës së çështjeve (dosjet civile pranë godinës civile dhe ato penale pranë godinës penale) paraqitet si një domosdoshmëri për mbarëvajtjen e punës, duke marrë në konsideratë volumin e
madh të fondit arkivor dhe numrin e lartë të dosjeve që merren çdo vit në administrim nga Kryesekretaria, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Megjithatë, përballë volumit të madh të dokumentacionit dhe rritjes së vazhdueshme të fondit arkivor, mbetet e domosdoshme zgjidhja e problematikave që lidhen me hapësirat arkivore dhe organizimin më efikas të dokumentacionit, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të funksionimit të sektorit dhe cilësisë së shërbimeve ndaj publikut.
©️zërionline


