Në prag të sezonit turistik në vijën bregdetare të Sarandës, Policia zbuloi një “kantier” ndërtimi të paligjshëm mbi plazh dhe në ujë, duke vënë në pranga 8 persona dhe shpallur në kërkim pronaren e hapësirës.
Policia e Sarandës ka goditur një rast të ndërtimit të paligjshëm në vijën bregdetare, duke arrestuar në flagrancë 8 shtetas që dyshohet se ishin të përfshirë në punime të paligjshme në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë kontrolleve intensive në zonat bregdetare, efektivët konstatuan se në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave të ngritura edhe në ujë, po kryheshin ndërtime pa leje.
Në pranga ranë shtetasit K. R., 25 vjeç, E. S., 41 vjeç, O. C., 32 vjeç, banues në Sarandë, si dhe B. R., 48 vjeç nga Delvina, E. R., 41 vjeç nga Lushnja, O. B., 47 vjeç nga Tirana, E. K., 42 vjeç nga Lezha dhe Y. D., 33 vjeç nga Mati.
Ndërkohë, Policia bëri me dije se është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe shtetasja A. B., e cila posedon hapësirën e plazhit dhe për llogari të së cilës dyshohet se po kryheshin punimet e paligjshme. Vijon puna për kapjen e saj.
Pas ndërhyrjes dhe kryerjes së procedurave, shërbimet e Policisë kanë njoftuar IKMT-në, IMT-në dhe Policinë Bashkiake, të cilat kanë nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


