Kushte që afrohen me trajtim degradues, qeli të amortizuara, mungesë mjekësh dhe qindra persona të mbajtur me muaj të tërë në paraburgim pa u dënuar. Ky është realiteti alarmant që ka evidentuar Avokati i Popullit pas inspektimeve në burgjet shqiptare gjatë vitit 2025.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar se në të paktën pesë institucione penitenciare, trajtimi i personave të privuar nga liria i afrohet standardit të trajtimit çnjerëzor dhe degradues, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Në fokus të raportit janë burgjet e Burrelit, Kosovë-Lushnjës, Kukësit, si edhe institucionet “Mine Peza” 302 dhe “Jordan Misja” 313, për të cilat kërkohet mbyllje deri në rikonstruktimin e plotë.
“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues”, deklaroi Endrit Shabani, Avokati i Popullit.
Raporti bazohet në inspektime të zhvilluara në 18 IEVP gjatë vitit 2025, si edhe në 115 ankesa të trajtuara nga të burgosur dhe familjarë të tyre.
Një nga problemet më shqetësuese mbetet mbipopullimi në disa burgje të vendit. Vetëm në IEVP Lezhë, mbipopullimi ka arritur në 65%, me 181 persona mbi kapacitetin e parashikuar. Edhe burgjet “Jordan Misja”, Vlorë dhe Fushë-Krujë rezultojnë mbi kapacitet.
Sipas raportit, 56.8% e popullsisë penitenciare janë persona në paraburgim, pra ende të padënuar. Mesatarja e qëndrimit në paraburgim arrin në 253 ditë, më shumë se tetë muaj në qeli pa një vendim përfundimtar gjykate, çka ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë.
Pas shifrave, raporti nxjerr në pah edhe realitetin e rëndë njerëzor në burgje. Në shumë institucione, të burgosurit mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike për shkak të mungesës së dollapëve. Ambientet rezultojnë pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme, ndërsa mungojnë produktet bazë të higjienës dhe detergjentët për pastrimin e qelive.
Shqetësuese paraqitet edhe situata e kujdesit shëndetësor. Në shumicën e IEVP-ve nuk ka mjekë me kohë të plotë dhe aty ku janë të pranishëm, qëndrojnë vetëm katër orë në ditë. Raporti evidenton mungesë të autoambulancave, vështirësi për konsultat me specialistë, mungesë të medikamenteve bazë dhe raste kur spitalet rajonale refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”.
Një tjetër alarm lidhet me personat me probleme të shëndetit mendor, për të cilët nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.
Përballë kësaj situate, Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë rishikim të menjëhershëm të politikës së paraburgimit, plan emergjent për kujdesin shëndetësor në burgje dhe mbylljen e pesë institucioneve të identifikuara deri në rikonstruktimin e tyre të plotë.
©ZëriOnline


