Është arrestuar në Spanjë Kevin Margjoni, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij GJKKO kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për trafik droge.
49-vjeçari Margjoni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa SPAK e konsideron si një nga personat e përfshirë në laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit.
Laboratori i kokainës në Frakull konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme të SPAK në muajin mars të këtij viti në luftën kundër trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë. Margjoni ishte një nga dy personat e shpallur në kërkim, ndërsa më herët ishin arrestuar edhe tre persona të tjerë.
Tashmë pritet bashkëpunimi me autoritetet spanjolle dhe Interpol për ekstradimin e Margjonit drejt Shqipërisë.
“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët në Madrid, është kapur në Spanjë dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi Kevin Margjoni, 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.”, njofton policia.
©ZëriOnline


