Berdane Bracellari rrëfen versionin e saj për ngjarjen tragjike të 4 qershorit, ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur efektivi Edison Adri. Në një intervistë ajo ka marrë në mbrojtje të birin, duke pretenduar ndër të tjera se dënimi me 10 vjet burg ka qenë padrejtësi për të.
Nëna e Violand Bracellarit, autorit të dyshuar të vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjes së efektivit Edison Adri, ka folur për herë të parë publikisht mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur më 4 qershor. Berdane Bracellari, e cila thotë se ka qenë dëshmitare okulare e momentit të përplasjes, rrëfen versionin e saj për atë që ndodhi në stallën e bagëtive ku ndodhej bashkë me të birin.
Sipas saj, policia mbërriti papritur dhe nuk u identifikua apo nuk dha urdhër për dorëzim përpara se të niste shkëmbimi i zjarrit.
“Kam qenë që në fillim. Hyra në stallë si gjithmonë, ndërsa djali ishte në anën tjetër. I thashë: ‘Djalë, erdhën’. Më pas ai ka kaluar nga dritarja e stallës së viçave dhe aty ishte polici. Djali doli lart dhe aty ndodhi përplasja”, tregoi ajo.
E pyetur nëse i biri ka qëlluar i pari ndaj policisë, Bracellari mohoi një gjë të tillë.
“Polici qëlloi i pari, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as ‘dorëzohu’ dhe as nuk u prezantua si polici. Violandi ishte fshehur në një cep dhe më pas kaloi lart”, u shpreh ajo.
Nëna e 40-vjeçarit tha se ai prej vitesh jetonte i izoluar në mal, pasi ishte shpallur në kërkim dhe ishte dënuar me 10 vite burg për një çështje narkotikësh.
“Prej 8 vjetësh jetonte në mal. Nuk rrinte me mua, vinte vetëm ndonjëherë për të ngrënë bukë. Nuk shkonte as në fshat e as në qytet. U dënua me 10 vite burg për 10 gramë hashash”, deklaroi ajo.
Bracellari mohoi gjithashtu pretendimet se i biri është marrë ndonjëherë me kultivimin e kanabisit apo trafikimin e lëndëve narkotike.
“Asnjëherë nuk ka kultivuar hashash. Kemi punuar në ndërtim në Vlorë, kemi blerë dhi race dhe i kemi sjellë këtu në Lozhan. Çfarë nuk kemi dëgjuar për djalin tim” tha ajo.
Lidhur me fondet që familja ka përfituar nga shteti, ajo sqaroi se bëhet fjalë për mbështetje në kuadër të aktivitetit blegtoral.
“Kemi marrë fonde sepse merremi me blegtori. Janë rregullat e shtetit, jo ndonjë favor i veçantë”, u shpreh Bracellari.
Në një moment emocional të intervistës, ajo shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të vrarë, duke thënë se e ndjen dhimbjen e tyre si nënë.
“Më vjen shumë keq për policin e vrarë, njësoj sikur të më kishte vdekur djali im. Më dhimbset ai djalë dhe familja e tij. Nuk i njoh, por jam me ta në këtë dhimbje”, deklaroi ajo.
Sipas Bracellarit, nëse efektivët do të kishin vepruar ndryshe gjatë operacionit, ngjarja mund të ishte shmangur.
“Polici ishte në detyrë dhe i urdhëruar. Po të kishte thënë ‘Ndal’, nuk do të kishim ardhur në këtë situatë”, tha ajo.
Nëna e Violand Bracellarit tregoi se ka tentuar disa herë ta bindë të birin të dorëzohej, por ai nuk ka pranuar.
“Shumë herë i kam thënë të dorëzohet. Ai thoshte se nuk pranonte të vuante 10 vjet burg për atë akuzë. I vinte shumë inat”, rrëfeu ajo.
Ajo mohoi gjithashtu zërat se djali i saj ka bashkëpunuar me policinë për të shmangur arrestimin gjatë viteve të fundit.
“Ata e kishin halë në sy. Kudo që lëvizte bënin kontrolle. Nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me policinë”, përfundoi Bracellari.
©ZëriOnline


