Me përfundimin e vitit shkollor, në qytet e fshat ndesh një pamje që tërheq vëmendjen dhe të vret syrin. Libra shkollore të hedhura pakujdes në rrugë e pranë koshave të plehrave. Tekste të përdorura, të cilat deri pak ditë më parë ishin pjesë e përditshmërisë së nxënësve, sot gjenden mes mbeturinave, të harruara dhe pavlerë në sytë e atyre që i përdorën.


Fenomeni nuk është i ri, por duket se këtë fundviti shkollor po vihet re më shpesh. Pamje të ngjashme si këto në foto janë parë e raportuar nga banorë të lagjeve të ndryshme, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohen materialet shkollore pas përfundimit të mësimit.
Për shumë familje, librat e një viti shkollor konsiderohen të panevojshëm sapo mbyllet cikli mësimor. Ndryshimet e programeve, kalimi në klasën pasardhëse apo mungesa e nismave për ripërdorimin e tyre bëjnë që një pjesë e teksteve të përfundojnë në plehra. Megjithatë, pas çdo libri të hedhur fshihet jo vetëm një kosto ekonomike, por edhe një vlerë edukative që humbet, flaket dhe imazhi vret e flet më shumë se çdo fjalë.
Ndërsa disa libra mund të jenë të dëmtuar ose të papërdorshëm, shumë prej tyre mund të shërbenin ende për nxënës të tjerë, apo nisma bamirësie. Në një kohë kur flitet gjithnjë e më shumë për riciklimin dhe mbrojtjen e mjedisit, hedhja e librave shkollorë dhe jo vetëm ngre pikëpyetje mbi vlerën e librit sot, kulturën e ripërdorimit dhe përgjegjësinë qytetare.
Pamjet e librave të braktisur pranë kazanëve na kujtojnë se dija, edhe kur nuk na nevojitet më, meriton më shumë respekt sesa një vend mes plehrave, sepse shkolla mund të ketë mbaruar, por vlera e një libri nuk mbaron me rënien e ziles së fundit.
V. Q.
©ZëriOnline


