Dy vite pas miratimit nga Këshilli Bashkiak i Durrësit, parkimi me pagesë në rrugët e qytetit po bëhet realitet. Në qershor ka nisur vijëzimi me ngjyrë blu i vendeve të parkimit në akset ku do të zbatohet sistemi i ri, ndërsa në sheshet publike janë vendosur trarët dhe pajisjet elektronike të kontrollit.
Vendimi, i miratuar më 25 qershor 2024, u kundërshtua në atë kohë nga këshilltarët e opozitës, por u votua me shumicë dhe më pas u konfirmua si i ligjshëm nga Prefektura. Tashmë Bashkia po përgatitet për zbatimin e tij.
Cilat rrugë do të jenë me pagesë?
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, qyteti ndahet në dy zona administrimi të parkimit.
Zona A – 100 lekë/orë
- Taulantia
- Currilat
- Bulevardi “Epidamn”
- Bulevardi “Dyrrah”
- Rruga “Egnatia”
- Rruga “Mars 91”
- Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
- Rruga “Dëshmorëve”
- Rruga “Adria”
- Rruga “Pavarësia”
- Rruga “Hafiz Ali Podgorica”
Zona B – 40 lekë/orë
- Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
- Rruga “Mujo Ulqinaku”
- Rruga “Stefan Kaculini”
- Rruga “Glaukia”
- Rruga “Hysen Kërtusha”
Cilat janë sheshet publike me pagesë?
Vendimi parashikon gjithashtu parkim me pagesë në:
- Sheshin pranë Bar Portofinos.
- Dy sheshe në rrugën “Mars 91”.
- Sheshin poshtë Urës së Dajlanit.
- Sheshin “Jorgji Ziu”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve.
- Parkimin në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
- Sheshin pranë tregut industrial, në rrugën “Hysen Myshketa”.
- Sheshin Vollga pranë Autoritetit Portual.
Për këto parkime do të aplikohen tarifat e mëposhtme:
| Koha e parkimit | Tarifa |
|---|---|
| 0–5 minuta | Falas |
| Deri në 2 orë | 100 lekë |
| 2–5 orë | 200 lekë |
| 5–8 orë | 300 lekë |
| 8–12 orë | 400 lekë |
| 12–24 orë | 500 lekë |
Fashat orare
Parkimi me pagesë në rrugë do të aplikohet:
- 1 qershor – 30 shtator: nga ora 08:00 deri në 20:00, çdo ditë.
- 1 tetor – 31 maj: nga ora 08:00 deri në 16:00, nga e hëna në të premte.
Për banorët rezidentë është miratuar një tarifë fikse prej 10 mijë lekësh në vit, e vlefshme vetëm për një automjet dhe vetëm brenda njësisë ku ata banojnë.

Debati që nuk është shuar
Në mbledhjen ku u miratua vendimi, këshilltarët e opozitës votuan kundër, me argumentin se qytetarëve nuk mund t’u kërkohet të paguajnë më shumë pa u krijuar më parë kushtet e nevojshme.
Së fundmi, dega e Partisë Demokratike në Durrës rikujtoi se këshilltarët e saj kishin propozuar që, përpara hyrjes në fuqi të skemës, Bashkia të merrte disa masa konkrete:
- përmirësimin e transportit publik;
- krijimin e vendeve të reja të parkimit;
- abonime me tarifa të reduktuara për rezidentët;
- lehtësira për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë në nevojë;
- fasha orare me parkim falas;
- konsultime të gjera me qytetarët dhe bizneset.
Sipas opozitës, asnjë prej këtyre propozimeve nuk u mor në konsideratë.
A do ta zgjidhë pagesa problemin e parkimit?
Ky mbetet diskutimi kryesor. Bashkia synon të vendosë rregull në përdorimin e hapësirave publike dhe të kufizojë parkimet afatgjata në qendër të qytetit. Megjithatë, shumë qytetarë pyesin nëse pagesa do të krijojë vende të reja parkimi apo thjesht do të rrisë koston për ata që përdorin automjetin çdo ditë.
Nëse mungesa e vendeve të lira mbetet e njëjtë, atëherë pagesa, sipas kritikëve, nuk zgjidh problemin, por vetëm e tarifon atë.
Ndërkohë, pakënaqësia duket se po organizohet edhe në terren. Në rrjetet sociale është njoftuar zhvillimi i një proteste qytetare pasditen e së shtunës, ku qytetarë dhe aktivistë pritet të kundërshtojnë nisjen e zbatimit të parkimit me pagesë në rrugët e Durrësit. Nëse pjesëmarrja do të jetë e lartë, kjo mund të jetë prova e parë e reagimit publik ndaj një prej vendimeve më të debatuara të Bashkisë në vitet e fundit.
L. B.
©ZëriOnline


