Zjarri pranë Parkut Arkeologjik të Bylisit vijon të jetë aktiv prej disa orësh, ndërsa forcat zjarrfikëse po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët që rrezikojnë një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.
Për shkak të terrenit të vështirë malor dhe pamundësisë për të depërtuar me automjetet zjarrfikëse në vatrat kryesore, ndërhyrja po realizohet edhe nga ajri, me një helikopter të angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve.

Në terren ndodhen forca zjarrfikëse nga Ballshi dhe Fieri, të cilat janë vendosur në pika strategjike përgjatë parkut për të penguar përhapjen e zjarrit drejt pjesës qendrore të sitit arkeologjik.
Nga terreni raportohet se flakët kanë përfshirë më parë disa zona të parkut, mes tyre Bazilikën E dhe Banesën A, ndërsa aktualisht fronti më problematik mbetet pjesa jugore e Parkut Arkeologjik të Bylisit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shkrumbuar dhjetëra hektarë me shkurre dhe qindra rrënjë ulliri. Situata vijon të jetë e vështirë për shkak të erës së fortë, e cila po favorizon përhapjen dhe riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
Operacioni për shuarjen e flakëve është ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën për të mbrojtur si monumentet arkeologjike, ashtu edhe sipërfaqet përreth parkut.
©ZëriOnline


